Mrekullia 'Vushtrria'!

Sport March 09, 2018 - 10:16

Vushtrria është pa dyshim mrekullia më e madhe e Kupës së Kosovës. Skuadra nga Liga e Parë është kualifikuar në gjysmëfinale të këtij evenimenti pasi e befasoi të mërkurën Gjilanin, të cilin e mposhti si mysafir 1:0 në ndeshjen çerekfinale, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Mirëpo, sensacioni Vushtrria nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Ekipi Bardhekaltër momentalisht po e shijon fitoren e madhe ndaj gjilanasve.

“Djemtë e merituan kualifikimin sepse luajtën në mënyrë fenomenale. Në pjesën e dytë ishim paksa në presion, por të cilin e përballuam me sukses. Në ndeshjet e Kupës rëndësi ka edhe fati, por me këtë cilësi që e kemi arritja deri këtu nuk është befasi”, është shprehur trajneri Isa Sadriu.

Sa i përket kundërshtarit të gjysmëfinales, ai e preferon Vëllaznimin e Drenicën, por jo edhe Prishtinën. Paraprakisht vushtrriasit e kishin eliminuar nga Kupa edhe një skuadër të Superligës, Lirinë, shkruan "Zëri".

Duan ta fitojnë Kupën

Vushtrriasit nuk e kanë ndërmend të ndalen me kaq. Madje, apetitet e tyre janë rritur dhe tash ata synojnë ta fitojnë Kupën. “E kam parandjenjë që do të fitojmë, kam pritur 100% që fitorja do të jetë jona për shkak se na ka nënvlerësuar Gjilani. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit. Jemi një ekip kompakt të përgatitur mirë, harmonia dhe vullneti ynë janë në maksimum”, ka thënë kryetari i klubit Naser Imeri. “Besoj dhe shpresoj që do ta fitojmë kupën, thuajse edhe në mendjet tona është ky vullnet që ta fitojmë kupën e Kosovës”, vazhdoi ai. Imeri nuk ka ndonjë preferencë sa i përket kundërshtarit të gjysmëfinales, pasi thotë se të gjitha ekipet janë të forta. Vushtrria këtë sezon po synon të rikthehet në Superligë, pasi i kaloi disa edicione në Ligën e Parë./Zëri