Superliga kthehet me përballje të 'nxehta'!

Sport February 27, 2018 - 12:57

Drita tashmë e ka marrë kryesimin në Superligën e futbollit me fitoren e së dielës kundër Llapit dhe gjilanasit të premten i pret sfida e parë në mbrojtje të vendit të parë, shkruan sot gazeta Zëri.

Ata do të luajnë në shtëpi kundër Vëllaznimit, në kuadër të xhiros së 21-të.

Derisa Dritës i duhet fitorja për ta ruajtur vendin e parë dhe për ta bërë një hap përpara drejt titullit, kuqezinjve u duhen pikët për të shpresuar në mbijetesë.

Po të premten Liria do të mundohet t’u kthehet fitoreve pas humbjes nga Gjilani.

Prizrenasit do ta kërkojnë fitoren e madhe ndaj Feronikelit, të cilit po ashtu i duhet trepikëshi për t’u konfirmuar si kandidat i mëtutjeshëm serioz për titull.

Ndërsa, derbi i javës do të zhvillohet të shtunën në Pejë, ku kandidatët e mëdhenj për titull, FC Prishtina dhe Trepça ’89, do ta kërkojnë trepikëshin me vlerë të jashtëzakonshme.

Ndërsa kandidati tjetër për titull, Llapi, i cili tashmë e ka humbur edhe vendin e dytë, do të kërkojë fitore për kthim në normalitet ndaj Flamurtarit.

Të dielën Vllaznia luan ndaj Besës, kurse orari i takimit Drenica – Gjilani ende nuk është caktuar. /Zëri/