Po kthehet kampioni

Sport January 19, 2018 - 11:22

Trajneri kampion i Kosovës në futboll me Hysin sot pritet t’i kthehet Superligës. Fadil Ademi me gjasë do ta pranojë ofertën e Llapit për t’i ndihmuar Tahir Batatinës. Ademit i është dashur pak kohë për ta vendosur të ardhmen për shkak se kishte marrë ofertë edhe nga KEK-u, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Tashmë kanë kaluar disa vjet prejse është shuar Hysi. Mirëpo, ish-klubi nga Merdara ka mbetur përjetësisht pjesë e historisë së futbollit kosovar, ku deri në momentin e shuarjes mund të thuhet se ishte edhe model për organizim. Madje ish-ekipi bardhezi kujtohet edhe për trofe të fituar. Ishte fitues i një kupe të Kosovës dhe i një titulli të kampionit. Ndërkohë, disa herë ishte edhe kandidat potencial për trofe. Dhe të gjitha ato suksese ndërlidhen me emrin e një trajneri i cili kishte dhënë kontribut të madh në suksesin e ekipit që i përfaqësonte llapjanët, pasi Besiana ishte shuar, kurse Llapi garonte në Ligën e Parë, ndërsa vetë Hysi juridikisht ishte nga Prishtina, por veprimtarinë e zhvillonte në Llap.

Fjala është për Fadil Ademin, i cili bënte punë të madhe kryesisht si ndihmëstrajner e kohë pas kohe edhe si kryetrajner. Ishte pikërisht Ademi shef i shtabit teknik kur Hysi e fitoi titullin e kampionit në edicionin 2010-11. Kjo e kishte bërë Ademin një trajner mjaft të respektuar në vendin tonë. Mirëpo, pas shuarjes së Hysit ai kryesisht ka pushuar nga profesioni, ndërsa për një kohë ka punuar te Ulpiana. Mirëpo Ademi pritet t’i kthehet së shpejti Superligës, shkruan "Zëri".

Ai ka marrë ofertë nga Llapi për postin e ndihmëstrajnerit, e cila pozitë ka mbetur e zbrazët pas largimit të Suad Keçit. Tahir Batatina po e mirëpret ndihmën e Ademit, i cili të premten do të vendosë përfundimisht për të ardhmen e tij. Ademi pritet të vendosë sot nëse do ta pranojë apo jo ofertën e Llapit. Gjasat janë shumë të mëdha që përgjigja e tij të jetë pozitive sepse ka raporte të afërta me drejtuesit e Llapit, ndërsa karriera e tij është mjaft e ndërlidhur me futbollin llapjan jo vetëm si një ish-trajner i Hysit, por edhe si një ish-futbollist i mirë.

Në fakt Llapi duhet ta presë deri të premten përgjigjen e Ademit, të cilën ka mundur ta marrë pozitivisht qysh më herët. Por, pengesë është një ofertë tjetër që e ka marrë paraprakisht Ademi. Gazeta “Zëri” ka marrë vesh se Ademi qysh më herët i ka nisur bisedimet me drejtuesit e KEK-ut, i cili është lider i Ligës së Parë dhe me hapa të sigurt po ecën drejt kthimit në Superligë. KEK-u ia ka ofruar Ademit pozitën e ndihmësit të trajnerit të ardhur nga Maqedonia Xhengis Rexhepi, pasi të dy ata njihen mirë dhe kanë raporte të mira. Sidoqoftë, Ademi shihet shumë më afër Llapit sesa KEK-ut./Zëri