Munishi: Komunat të ndihmojnë me para e pa politikë

Sport December 15, 2017 - 15:04

Rasti i Drenasit, tashmë i njohur si “Ramiz Lladrovci – Feronikeli”, konsiderohet nga të gjithë në Kosovë si ndërhyrje e pastër e politikës në futboll.

Shumë klube në Kosovë në çdo moment presin ndërhyrje të tilla nga komunat përkatëse. Klubet e futbollit kanë shkuar në pushim dimëror pas pjesës së parë të kampionatit, por shumë nga to ende nuk e dinë se si do ta presin sezonin pranveror me më shumë para apo me më pak para, me të njëjtit njerëz në Kryesi apo me të tjerë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Kjo për shkak se komunat e tyre përkatëse po i konsolidojnë strukturat e reja qeverisëse të dala nga zgjedhjet e fundit komunale, të mbajtura në Kosovë e të cilat në fakt kanë prodhuar goxha ndryshime në postet e kryetarëve të komunave nga partitë e ndryshme politike.

Madje ka klube që i druajnë përsëritjes së rastit të ndodhur në Drenas në mes të Komunës dhe Feronikelit. Besa e Pejës, Vëllaznimi i Gjakovës, Liria e Prizrenit, Drenica e Skenderajt janë vetëm disa nga klubet e Superligës që me kujdes po i përcjellin zhvillimet dhe konsolidimin e qeverive të komunave përkatëse.

Sytë kah Komuna e Gjakovës i ka edhe Vëllaznimi në krizë të madhe financiare. “Vëllaznimi nuk ka pasur mbështetje nga Komuna. Unë dhe futbollistët e mi i kemi shumë keq punët financiarisht dhe nuk e di nëse do të mundnim të presim më. Por, Vëllaznimi natyrisht se pret ndihmë nga Komuna e Gjakovës pas ndryshimeve në qeverisjen e saj”, thekson për "Zërin" Ismet Munishi, i cili kishte polemika me ish-kryetaren e Gjakovës Mimoza Kusari-Lilën, të cilën e kritikonte për neglizhencë karshi klubit.

Trajneri i gjakovarëve shpreson që komunat të mos e shfrytëzojnë mundësinë për të bërë politikë me klube. “Politika duhet të jetë e afërt me sportin në kuptimin për t’i ndihmuar, por assesi për ta politizuar atë”, thotë Munishi, i cili ka bërë punë të madhe në Gjakovë përkundër problemeve të natyrës josportive, atyre financiare, duke arritur rezultate befasuese në sezonin vjeshtor.

“Ka klube që i kanë mirëpritur ndryshimet në qeverisje të komunave, por ka klube që nuk i kanë mirëpritur ndryshimet. Ka parti politike që e duan sportin dhe janë të gatshme ta ndihmojnë. Por ka edhe parti që nuk kanë lidhje me sport dhe prej tyre nuk mund të presësh mbështetje. Po flas për mbështetje financiare e jo për ndërhyrje politike. Në secilën komunë sporti ka nevojë për mbështetje financiare, duke filluar prej më të madhes, pra prej Komunës së Prishtinës, e cila në katër vjetët e fundit ka bërë shumë pak për sportin e deri te komuna më e vogël”, përfundoi ai. /Zëri/