Duan pasaporta shqiptare

Sport November 21, 2017 - 16:06

Donjeta Sadiku të ardhmen e saj sportive më nuk do ta lërë në duart e politikës. Për të mos humbur gara tjera të rëndësishme ndërkombëtare shkaku i problemeve për të marrë viza apo për të udhëtuar me pasaportë të Kosovës, që nuk e njohin shumë shtete të botës, boksierja e famshme ka bërë kërkesë në Shqipëri që t’i jepet pasaporta shqiptare. Ndërsa edhe Komiteti Olimpik i Kosovës e sheh si opsion real pajisjen e reprezentuesve kosovarë me pasaporta shqiptare, të cilat do t’i përdornin vetëm sa për të hyrë në shtetet ku shkojnë për ta përfaqësuar Kosovën

Rrethanat politike kanë bërë që Kosova të ngecë në procesin e liberalizimit të vizave, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo po u shkakton barriera qytetarëve të vendit tonë, për të cilët nuk është aspak lehtë të udhëtojnë drejt shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa udhëtimi drejt shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën është gati krejtësisht i pamundur, pasi vendet e atilla nuk e njohin as pasaportën kosovare.

Natyrisht, më të “viktimizuarit” nga kjo situatë po rezultojnë sportistët tanë, karriera e të cilëve po pëson.

Në fakt, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe të gjitha federatat kosovare janë anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare sportive, gjë që u mundëson sportistëve nga Kosova pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.

Mirëpo problemet për t’u pajisur me viza apo mosnjohja e Kosovës nga shumë shtete të botës po paraqet probleme të jashtëzakonshëm për reprezentuesit tanë.

Rasti i fundit është ai i Donjeta Sadikut. Boksierja e njohur kosovare e humbi mundësinë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, në të cilin synonte medalje të artë.

Kjo pasi nikoqirja e Botërorit, India, ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, ndërsa ambasada e saj në Beograd e ka refuzuar kërkesën e Donjetës për t’u pajisur me vizë.

Madje insistimin indian nuk kishin arritur ta thyenin as organizatat ndërkombëtare sportive, prej të cilave kishin kërkuar intervenim organizatat sportive të Kosovës.

Sikurse Donjeta, të njëjtën “çorbë” e kanë shijuar edhe shumë sportistë tjerë kosovarë, të cilët për shkaqe të tilla kanë pësuar dëme të pariparueshme në karrierë.

Donjeta nuk mundi të luftojë për titullin e kampiones botërore për juniore, ndërsa prej vitit të ardhshëm ajo do të kalojë në kategorinë seniore.

Pikërisht në Indi në vitin që po vjen do të mbahet edhe Botërori i Boksit për seniore.

Për të mos e humbur edhe Botërorin e radhës shkaku i mosnjohjes së Kosovës nga India, Donjeta me trajnerin e saj Besim Brahimin të enjten ishin në Tiranë, ku iu kanë drejtuar Zyrës së Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për të bërë kërkesë që të pajisen me pasaporta të Shqipërisë, me të cilat mund të hyjnë në Indi.

Në Federatën e Boksit të Kosovës i kanë thënë “Zërit” se edhe kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka intervenuar në shtetin shqiptar, të cilit i ka rekomanduar që t’i japë pasaportë shqiptare Donjetës dhe trajnerit të saj.

“Kjo është rruga e vetme për momentin”, ka thënë për “Zërin” kryetari i FboxK-së, Ramadan Selimi.

Duke i pasur parasysh vështirësitë e sportistëve kosovarë për t’u pajisur me viza dhe për t’i shfrytëzuar pasaportat e tyre kosovare, edhe Komiteti Olimpik i Kosovës e sheh si mundësi më të mirë procesin e pajisjes me pasaporta shqiptare të sportistëve tanë, në mënyrë që dokumenti i Shqipërisë të shfrytëzohet vetëm në aspektin e udhëtimit, kurse përfaqësimi të bëhet për Kosovën.

“Në rrethanat çfarë jemi është lehtësuese në aspektin e logjistikës për hyrje në shtetet që nuk e kanë njohur shtetin dhe pasaportën e Kosovës, andaj unë e përkrah këtë ide”, ka deklaruar për “Zërin” kryetari i KOK-ut, Besim Hasani.

Para pak kohësh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kishte kërkuar prej tij që shteti shqiptar t’u lëshojë pasaporta kërkesave të kosovarëve në mënyrë që ata të dalin sadopak nga getoja.

Edhe vetë Meta kishte konfirmuar se Tirana po përballet me fluks të madh të kosovarëve që po kërkojnë pasaporta shqiptare, porse zgjidhja e drejtë dhe ideale do të ishte që kosovarëve t’u mundësohet liria e lëvizjes e merituar. /Zëri/