Prishtina në kaos

Sport September 18, 2017 - 10:57

Kryeqyteti i ka shumë keq punët me sport. Mungesa e jashtëzakonshme e stadiumeve dhe e palestrave tashmë ka shkaktuar gjendje kaotike. Derisa FC Prishtina bredh rrugëve në kërkim të çfarëdo fushe të futbollit, klubet e sporteve tjera rrezikojnë të bëhen “kërrsh” pas sallës së vogël të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve. Sigal Prishtina të martën do të debutojë në kryeqytet në Ligën e Kampionëve të basketbollit, por ndeshja e dytë si vendase e 24 shtatorit është vënë në pikëpyetje për shkak se salla është e zënë me kampionatin e peshëngritjes. Në këtë mënyrë krahas kaosit situata ka kaluar edhe në nivel banaliteti, shkruan sot gazeta "Zëri".

Prishtina thuajse ka mbetur krejtësisht pa infrastrukturë sportive, gjë që tashmë ka shkaktuar gjendje kaotike. Kryeqyteti është i vetmi në Kosovë që nuk e ka asnjë fushë për futboll, ndërsa FC Prishtina qe një kohë të gjatë bredh rrugëve të Kosovës në kërkim të fushave për të ushtruar dhe për të luajtur. Në situatë hiç më të mirë nuk janë as klubet e sporteve tjera të kryeqytetit, të cilat po bëhen “kërrsh” në përpjekjet e tyre për të zënë hapësirë për të ushtruar dhe për të luajtur në sallën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve, e cila ka mbetur thuajse e vetmja në dispozicionin e tyre.

Kjo sallë sportive nuk po arrin t’u përballojë assesi kërkesave të shumta të klubeve dhe të sportistëve për t’i kryer aktivitetet e tyre sportive, sidomos tani pas anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sportit, të cilat kërkojnë standarde infrastrukturore dhe orare të sakta të aktiviteteve, të cilat nuk ka shans t’i mbulojë një sallë e vetme në Prishtinë, shkruan në numrin e sotëm gazeta "Zëri".

Me vite të tëra është pritur dhe është ëndërruar pjesëmarrja e Sigal Prishtinës në garat më të forta evropiane, ndërsa tani kur FIBA ia ka dhënë mundësinë klubi bardhekaltër rrezikon mospjesëmarrjen për arsye banale, gjë që nëse ndodh do të nënkuptojë katastrofë dhe turp për Prishtinën dhe gjithë Kosovën.

Sigal Prishtina të martën do të debutojë në Ligën e Kampionëve të FIBA-s kundër ekipit bjellorus, Tsmoki Minks. Pastaj do të luajë si mysafir dhe sipas orarit ndeshjen e tretë në Ligën e Kampionëve do t’i duhet ta zhvillojë në Prishtinë, më 24 shtator. Mirëpo, zhvillimi i ndeshjes së 24 shtatorit dhe ecuria normale në këtë garë e Sigal Prishtinës është vënë në pikëpyetje të madhe pasi salla e Pallatit të Rinisë dhe e Sporteve do të jetë e zënë me një aktivitet tjetër, të cilin Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila menaxhon me këtë Pallat, i ka caktuar orar garues kampionatit të peshëngritjes për grupmoshat U-15 dhe U-17.

Kjo e ka tronditur Sigal Prishtinën, e cila qe një kohë të gjatë i ka nisur përgatitjet për garim të dinjitetshëm në Ligën e Kampionëve, për çka ka investuar në shumë aspekte e lëre më në lojtarë e trajner të huaj.

“Fatkeqësisht jemi të rrezikuar për ta përmbushur misionin tonë si rrjedhojë e gjendjes së krijuar në palestër. Na është thënë se palestra do të jetë e zënë pasi që AKP-ja ka lejuar mbajtjen e Kampionatit për Peshëngritje U15 dhe U17. Ne nuk kemi asgjë kundër mbajtjes së kësaj gare, por është shqetësuese se si një garë që mund të organizohet në një vend tjetër, ku nuk prishet parketi i dedikuar për sportet tjera, të lejohet të organizohet në të vetmen sallë në Kosovë ku FIBA lejon të mbahen ndeshje ndërkombëtare të basketbollit e që së shpejti as kjo nuk do të mjaftojë”, thuhet në reagimin e Sigal Prishtinës.

“Tani me këtë situatë të krijuar nga AKP-ja, si dhe të ndihmuar nga neglizhenca dhe mosveprimi i institucioneve dhe i Komunës së Prishtinës, e cila nuk ka bërë asgjë që t'i ndihmojë sportistët, klubet dhe rininë që të kenë hapësira minimale të mjaftueshme për t'i zhvilluar këto aktivitete, ne nuk do të kemi sallë për ta zhvilluar ndeshjen. Ky do të ishte turpi më i madh për institucionet dhe për Komunën, i cili do të kishte pasoja të pariparueshme për klubin, sportin, rininë, qytetin dhe shtetin”, theksohet në reagimin e bardhekaltërve, i cili i bën thirrje AKP-së dhe Komunës së Prishtinës t’i bëjnë zgjidhje, në të kundërtën bardhekaltrit thonë se do të ndërmarrin masa të tjera, pasi ekzistenca e klubit në këtë formë po vihet në pikëpyetje të madhe.

Komuna i përgjigjet Sigal Prishtinës së Blerand Stavilecit

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës i është përgjigjur Sigal Prishtinës, duke e akuzuar presidentin e saj, Blerand Stavileci, se ishte pikërisht Qeveria ku bënte pjesë ai, ajo që i ka bllokuar proceset dhe projektet e Komunës.

“Për Pallatin e Rinisë po ankohet Sigal Prishtina, me drejtor Blerand Stavilecin a? Sa për informacion, Qeveria ku bënte pjesë ai, na e ka bllokuar Pallatin e Rinisë përmes AKP-së. Në vitin 2015, me vendim unanim të Kuvendit Komunal kemi dërguar kërkesë në atë qeveri që Pallati i Rinisë të kalojë në Ndërmarrje Publike Komunale, dhe sot e atë ditë nuk ka përgjigje”, ka thënë fillimisht për gazetën "Zëri", zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.

“Lidhur me qasjen ndaj sportit, përveç përkrahjes direkte që ua kemi bërë sportistëve deri tash (duke i dyfishuar subvencionet), si dhe rregullimin e disa ambienteve rekreativo-sportive, në mandatin e dytë të VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë do të vazhdojmë me realizimin e disa projekteve tjera infrastrukturore. Ato projekte në mandatin e ardhshëm do të prezantohen nga kabineti i Kryetarit Ahmeti, e që besojmë se do t’i pëlqejnë edhe asambleistit Stavileci”, ka përfunduar ai. /Zëri/