Sulmet 'bombastike' të Championsit

Sport September 15, 2017 - 10:58

Edicioni i ri Ligës së Kampionëve tashmë ka filluar. Ndeshjet e para të grupeve të kompeticionit më të madh evropian kanë treguar se këtë vit na pret një garë e jashtëzakonshme. Sulmet e ekipeve të mëdha vetëm sa janë duke u përforcuar dhe me këtë gjë spektakli rritet. Paris Saint-Germaini ka shtuar në radhët e veta Neymarin dhe Mbappen dhe pritet ta ketë sulmin më të rrezikshëm gjatë këtij sezoni. Ua sjellim sulmet më të rrezikshme të këtij edicioni në Champions

Kur Paris Saint-Germaini vendosi që ta transferonte Neymarin nga Barcelona, për 222 milionë euro, jo vetëm që theu rekordin e transferimeve, por gjithashtu shkatërroi njërin prej sulmeve më të suksesshme në historinë e futbollit.

Neymar, Lionel Messi dhe Luis Suarez (MSN) kishin tmerruar mbrojtjet e ekipeve në Spanjë dhe në Evropë gjatë tre vjetëve të fundit para se treshja të “shkapërderdhej”. 

“The Guardian”, raporton zeri.info, sjell sulmet më të rrezikshme të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.

Paris Saint-Germain – Neymar, Cavani Mbappe (nota 9.5/10)

“Ai mund të bëhet Pele i ardhshëm. Ai nuk ka limite”, kishte deklaruar Arsene Wenger për Kylian Mbappen. Evropën tashmë e ka kapluar shqetësimi. Në mes të Mbappes dhe Neymarit gjendet edhe Edinson Cavani. Treshja e udhëhequr nga Unai Emery pa dyshim që është sulmi më i mirë në Evropë dhe pritet të shkaktojë panik të madh te skuadrat kundërshtare.

Barcelona – Messi, Suarez, Dembele (nota 9/10)

Për shumë njerëz Barcelona kishte sulmin më të mirë të të gjitha kohërave, por treshja e famshme e njohur si “MSN” tashmë ka marrë fund. Neymar do t’u mungojë Messit dhe Suarezit si në fushë ashtu edhe jashtë saj, sepse ishin miq të mirë. Paratë e fituara nga shitja e Neymarit klubi spanjoll i shpenzoi për Ousmane Dembelen. Pritet të shihet se çka ka mbetur nga Suarez dhe se çfarë do të sjellë Dembele, kurse Messi mbetet Messi.

Manchester City – Silva, Jesus, Aguero (nota 9/10)

Pep Guardiola ka në dispozicion sulmuesin më efikas të ligës angleze që prej vitit 2012, Sergio Agueron. David Silva pritet që të luajë prapa sulmuesve Gabriel Jesus dhe Aguero, kurse në mesfushë do ta ketë dhe Kevin De Bruynen. Banka rezervë do të jetë gjithashtu e “bollshme” me Raheem Sterlingun, Leroy Sanen dhe Bernardo Silvan.

Real Madrid – Isco, Benzema, Ronaldo (nota 9/10)

Koha që Real Madridi ta ndërrojë kanalin? Për shumë kohë BBC (Bale, Benzema, Ronaldo) kanë qenë në krye të sulmit, por Zidane pritet t’i ndërrojë gjërat. Bale kishte vuajtur mjaft shumë nga lëndimet gjatë edicionit të kaluar dhe në vend të tij luante Isco, i cili ka shkëlqyer me fanellën e madrilenëve. Kampioni aktual i Ligës së Kampionëve gjithashtu do ta ketë në ekip edhe një “xhevahir” si Marco Asensio.

Juventus – Mandzukic, Dybala, Cuadrado, Higuain (nota 9/10)

Paulo Dybala është një talent i rrallë, Gonzaolo Higuain është një sulmues i kalibrit botëror dhe Mario Mandzukic është një luftëtar i paepur. Juan Cuadrado gjithashtu shquhet për shpejtësinë dhe për depërtimet e tij në krah, kurse si alternativa në bankën rezervë gjenden emra si Douglas Costa apo Federico Bernardeschi.

Chelsea – Hazard, Morata, Willian (nota 8.5/10)

Sulmi i Chelseat ka ndryshuar pa Diego Costan dhe me ardhjen e Alvaro Moratas, i cili do ta udhëheqë sulmin e londinezëve. Morata ka filluar ta tregojë veten në ligën angleze, kurse Hazard pritet që shumë shpejt të rikthehet në detyrë pas mungesës disajavore. Willian ose Pedro pritet që të kenë fjalën në krahun e djathtë të sulmit. /Zëri/