Futbollistin prizrenas e bënë për spital në Gjilan (FOTO)

Sport March 09, 2017 - 11:23

Liria e ka përjetuar “ferrin” në Gjilan dje. Prizrenasit ankohen se në ndeshjen me Gjilanin ka pasur gjithçka pos futbollit, shkruan sot gazeta Zëri.

Fyerje, kërcënime, përjashtime nga loja dhe një lojtar i përfunduar në spital. Bardhezinjtë thonë se nuk kanë provuar e as nuk kanë parë kurrë skena të tilla.

“Na kanë ‘mbytur’ në Gjilan, lojtarët kanë luajtur ashpër, ka pasur fyerje, kërcënime, lojë e tensionuar dhe dhunë. Pjesa e parë është vazhduar 7 minuta, kjo nuk ndodh askund”, e tregon fillimisht tmerrin e përjetuar një burim i “Zërit” brenda klubit prizrenas.

Image

“Futbollisti Gzim Rusi e ka goditur me grusht lojtarin tonë Albin Memajn, i cili është dërguar në spitalin e Gjilanit, ku po qëndron ende në ORL-në e këtij qytetit”, shton ky burim.

“Më pas, për t’i balancuar gjërat, na përjashtuan ne nga loja, ndihmëstrajnerin Bakaj dhe lojtarin Ramadanaj, të dy në bankinë”, nënvizoi ky burim, i cili nuk ndalet me kaq.

“Lojtarëve iu kanë hyrë edhe me shufra hekuri në zhveshtore, kjo është çnjerëzore. Gjithashtu, na kanë sulmuar autobusin dhe Policia për fat na ka mbrojtur. Një polic ka mbetur i lënduar kur kanë vendosur ta mbrojnë autobusin nga hedhje e gurëve dhe gjësendeve të tjera. Më e keqja është se gjithçka ka parë anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Bekim Rexhepi, që ishte në stadium”, tregon ngjarjen burimi i gazetës. Ndeshja Gjilani – Liria përfundoi baras, 0:0. /Zëri/