Kupa si titulli

Sport February 28, 2017 - 11:23

Besa e ka nisur mjaft mirë pjesën e dytë të sezonit. Fillimisht, pejanët e eliminuan nga Kupa e Kosovës Dritën, duke e mundur me rezultat 3:1, pas një paraqitjeje mjaft të mirë, ndërsa më pas e mundën edhe Llapin, në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, 1:0, duke i treguar “dhëmbët” qysh në ndeshjet e para.

Këto performanca e kanë rritur optimizmin në taborin pejan se ekipi Kuq e bardh do ta ketë një pranverë më të mirë sesa vjeshta, edhe pse trajnerin Gani Sejdiu po e shqetëson diçka, shkruan sot gazeta Zëri.

“Ajo që po më shqetëson dhe po më brengos është fondi më i dobët i lojtarëve, në krahasim me atë që e kishim në vjeshtë. Na kanë ikur shumë futbollistë dhe nuk kemi arritur të marrim lojtarë të rinj. Megjithatë, lojtarët aktualë kanë treguar formë maksimale dhe më ka pëlqyer qasja e tyre në dy ndeshjet e para, e cila ka qenë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë fillimisht për “Zërin” trajneri Sejdiu.

“Vetëbesimi tek lojtarët është shumë i madh. Ata u janë përgjigjur maksimalisht detyrave që ua kam kërkuar. Shpresoj të mos kemi shumë lëndime dhe kartonë tek lojtarët, pasi këto mund të na penalizojnë, njëjtë si në vjeshtë”, thotë ai.

 Image

Respekt për kampionatin, fokusi te Kupa

Besa gjendet në pozitën e pestë në tabelën e Superligës me 28 pikë të grumbulluara pas 18 ndeshjesh të zhvilluara, 8 pikë më pak se tri skuadrat që e ndajnë pozitën e dytë, Feronikeli, Prishtina dhe Llapi, që kanë nga 36 dhe 14 më pak se lideri, Trepça ‘89.

Trajneri mitrovicas thotë se pejanët do ta respektojnë kampionatin duke u munduar t’i “kapin” skuadrat që e ndajnë pozitën e dytë, por e pranon hapur se fokusi i tyre do të jetë Kupa e Kosovës, një eveniment ky që sivjet dërgon në garat evropiane, respektivisht në Europa League.

“Diferenca prej tetë pikësh me vendin e dytë nuk është e paarritshme, por për momentin nuk guxojmë të premtojmë shumë. Do ta respektojmë maksimalisht kampionatin, por fokusi ynë do të jetë Kupa, e cila është më lehtë e kapshme. Do të luajmë në shtëpi me Prishtinën dhe e kemi mundësinë të shkojmë në gjysmëfinale dhe synojmë ta fitojmë këtë trofe. Kupa për ne e ka vlerën e titullit, pasi ajo sivjet çon në Evropë”, u shpreh ndër të tjera Sejdiu.

Besa pati vështirësi në muajt e fundit pasi u larguan disa futbollistë, derisa javëve të fundit u fol edhe për një bojkot të lojtarëve për shkak të borxhit që ua kishte klubi, që nuk ua kishte paguar rrogat.

Po ashtu, në pjesën e parë të sezonit pati edhe “rebelime” të disa futbollistëve, që krijuan destabilitet në klub, por duket se tashmë gjithçka ka rënë në vendin e vetë dhe pejanët e presin një pranverë të suksesshme nën drejtimin e strategut Sejdiu. /Zëri/