S’ka Maqedoni pa shqiptarë!

Sport January 19, 2017 - 14:19

Maqedonia është në krizë të thellë. Tensionet ndëretnike dalin shpesh në sipërfaqe. 30 përqindëshi shqiptar i popullatës nuk po lëshon pe nga kërkesa për barazi me maqedonasit. Por, cili është pozicioni i shqiptarëve në futbollin e Maqedonisë? Si u bë Shkëndija krenari e “Shqiponjave” në shtetin fqinj? Për cilin shtet duhet të luajnë futbollistët shqiptarë nga atje? A ekziston rreziku për përsëritje të incidenteve të Beogradit edhe në ndeshjen e ardhshme Maqedoni – Shqipëri? Si shihet përfaqësuesja e Kosovës në shtetin komshi? Këtyre pyetjeve u përgjigjet ekskluzivisht për “Zërin” nënkryetari shqiptar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamet Sejdini

Shqiptarët përbëjnë rreth 30 për qind të popullatës në Maqedoni. Dhe, kjo tregon se shqiptarët janë faktorë shumë me rëndësi në funksionimin e shtetit fqinj, i cili po vazhdon të ballafaqohet me krizë të madhe politike.

Funksionimi dhe e ardhmja e Maqedonisë nuk është e varur vetëm në raportet e brishta me Greqinë, shkaku i emrit, gjë që po ia vështirëson procesin e integrimit euroatlantik.

Pabarazia e shqiptarëve, përkatësisht shkeljet e të drejtave dhe lirive të komunitetit shqiptar, e kanë vendosur në ngërç vendin fqinj, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Image

Shqiptarët insistojnë në kërkesën e tyre për barazi të plotë, mbase edhe meritore, me maqedonasit, në çdo sferë të jetës, gjë që vazhdon të refuzohet nga politika maqedonase.

Kjo është evidente në çdo aspekt. Por, shtrohet pyetja se cili është pozicioni i shqiptarëve në futbollin e Maqedonisë?

Për këtë shpjegime jep nënkryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), i cili i përket kombësisë shqiptare, Muhamet Sejdini.

Në një bisedë me gazetën “Zëri” Sejdini thotë se shqiptarët kanë pozicion të kënaqshëm në futbollin maqedonas, në dallim prej sferave tjera.

Image

“Në Federatën e Maqedonisë shqiptarët janë mirë të përfaqësuar, si në Këshillin Drejtues, ku prej 15 anëtarëve, 4 nga ta janë shqiptarë. Pastaj zëvendëskryetari është shqiptar, zëvendëssekretari po ashtu, ka shqiptarë të punësuar në sekretariat, në çdo seleksion, pra prej grupmoshave të reja deri në Përfaqësuesen A të Maqedonisë, ka nga një shqiptar, pra ose selektor ose zëvendësselektor, e mbi të gjitha ka futbollistë”, ka deklaruar Sejdini për “Zërin”. Për më tepër, Sejdini thotë se shqiptarët e maqedonasit përpiqen ta lënë krejtësisht anash politikën kur është në pyetje futbolli. “Futbolli dhe politika janë anash njëra prej tjetrës. Kjo do të thotë se ne nuk merremi me politikën. Ndërsa, sa u përket shqiptarëve në futbollin e Maqedonisë, mund të them se kemi mjaft ngritje, sidomos me Shkëndijën”, theksoi ai. “Si shqiptarë, kemi ende për të bërë por edhe tash për tash jemi të kënaqur”, potencon Sejdini.

Image

Sejdiu: Krenarë me Shkëndijën, por edhe me Shkupin e Renovën

Muhamet Sejdini kujton se pikërisht përmes futbollit maqedonas shqiptarët e shtetit fqinj po arrijnë të përfaqësohen në Evropë përmes klubeve shqiptare që garojnë në elitën e futbollit të shtetit fqinj.

Numri 2 i futbollit në Maqedoni thotë se shqiptarët viteve të fundit po krenohen me klubin e madh nga Tetova, Shkëndijën, e cila jo vetëm në futbollin maqedonas, por ngjyrat e saj kuq e zi po shkëlqejnë edhe në garat evropiane.

“Ka mjaft ngritje, sidomos me Shkëndijën, e cila arriti në “Play-Off” të kualifikimeve për Europa League, apo ngritjen e madhe të këtij klubi në këto vite të fundit. Në elitë shqiptarët lanë edhe Shkupin apo Renovën, të cilat janë klube me renome”, thotë ai.

“Shkëndija po merr përmasa të një klubi të madh, të një niveli evropian. Në një të ardhme Shkëndija besoj se do të nxjerrë nga shkolla e saj futbollistë të mëdhenj. Tetova e Shkupi dhe trevat tjera kanë shumë talentë. Unë nuk mund të them se a është sot më e madhe Shkëndija, Prishtina, Partizani, Tirana apo Skënderbeu, por e di se Shkëndija është lart”, nënvizoi Sejdini.

Image

A do të përsëritet droni në ndeshjen Maqedoni – Shqipëri?

Futbolli në Maqedoni shpeshherë ka nxjerrë në sipërfaqe edhe tensionet ndëretnike, kur tifozët maqedonas i kanë fyer në baza etnike shqiptarët, të cilët u janë kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë, madje duke bërë thirrje për bashkim të trojeve shqiptare, kurse stadiumin kryesor në Shkup “Filipi II” e quajnë “Adem Jashari”.

Faktet e tilla kanë ngjallur shqetësime për mundësinë e përsëritjes së trazirave të Beogradit në ndeshjen Serbi – Shqipëri, shumë kohë para se t’i vijë radha ndeshjes eliminatore për Botërorin që Maqedonia do ta zhvillojë si vendase kundër Shqipërisë, ndeshja kjo që do t’i vë përballë dy palët e tifozëve, maqedonasit dhe shqiptarët.

Këta të fundit do të bashkohen nga shqiptarët etnikë të Maqedonisë dhe ata të Shqipërisë e Kosovës.

Tash e një kohë flitet se FFM-ja po planifikon që këtë ndeshje të mos e organizojë në Shkup, por diku shumë më larg, për ta shmangur sa më shumë që është e mundur udhëtimin e tifozëve shqiptarë dhe tensioneve të mundshme.

Rreth kësaj çështjeje heziton të flasë nënkryetari shqiptar i FFM-së, Muhamet Sejdini.

Preferencë personale e tij është stadiumi gjigant në Shkup, por kujton se përcaktimi i stadiumit nuk varet prej tij.

“Çka do të ketë mbetet të shihet. Por them se ndeshja do të zhvillohet aty ku ka kushte, kështu që mos u bëni merak sepse loja do të zhvillohet sikurse çdo ndeshje tjetër dhe do të fitojë ekipi më i mirë”, thotë ai.

“Unë do të doja që ndeshja Maqedoni – Shqipëri të zhvillohet në Shkup. Por, në Këshillin Drejtues jemi 15 anëtarë, prej tyre jemi 4 shqiptarë”, shpjegon nënkryetari i federatës maqedonase, i cili më 18 shkurt pritet ta fitojë edhe një mandat në këtë post, pasi shqiptarët i janë mirënjohës për punën e bërë në interes të tyre.

Image

Kosova do të rritet

Muhamet Sejdini nuk është i kënaqur me rezultatet që po i regjistron Maqedonia në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”, në të cilat për herë të parë po merr pjesë edhe Kosova e posaanëtarësuar në UEFA dhe FIFA.

“Kjo kampanjë kualifikuese është testuese për Kosovën. Kosova do të konsolidohet shumë shpejt. Do të konsolidohet aq mirë saqë do të arrijë mjaft në të ardhmen”, ka theksuar Sejdini, i cili përmes FFM-së i kishte dhënë përkrahje maksimale Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në procesin e ndërkombëtarizimit.

Sejdini: Shqiptarët e Maqedonisë, të vetëvendosin se për cilin shtet duan të luajnë

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA i ka vënë në “siklet” udhëheqësit shqiptarë të futbollit në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Maqedoni, mirëpo edhe tifozët, e mbi të gjitha futbollistët shqiptarë nga të tria anët dhe nga diaspora, të cilët tashmë po e kanë të vështirë të përzgjedhin se për cilën skuadër shtetërore të luajnë.

Shqipëria po merr futbollistë nga të gjitha anët. Mjafton që ata të jenë shqiptarë.

Por, a po kërkon FFM-ja nga nënkryetari i saj, Muhamet Sejdini, që t’i ndalë futbollistët shqiptarë në Përfaqësuesen e Maqedonisë dhe të mos i lë që të shkojnë në drejtim të Kombëtares së Shqipërisë?! 

“Ne nuk kemi pasur ndikime te përzgjedhja e futbollistëve se për kë duan të luajnë ata. Kjo zgjedhje u takon ta bëjnë me vullnet vetë futbollistët”, thotë Sejdini. /Zëri/