Azemi i shpëton plumbit (FOTO)

Sport September 17, 2016 - 11:54

E premtja ishte ditë me fat për Edmond Azemin. Basketbollisti i njohur kosovar ishte së bashku me familjen kur papritmas një plumb qëlloi veturën ku gjendeshin ata. Por, fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk mbeti i lënduar. Azemi rrëfen ngjarjen për “Zërin”

Edmond Azemi është me fat. Basketbollisti kosovar i ka shpëtuar më të keqes të premten pasi një plumb ka përfunduar në veturën e tij pas një përleshjeje me armë zjarrin në qendër të Prishtinës.

Ikona e tifozëve prishtinas gjatë momentit të përleshjes në qendër të Prishtinës ishte së bashku me familjen duke kaluar kur një plumb goditi veturën e tij.

Basketbollisti prishtinas për “Zërin” ka shpjeguar se deri te ky moment ka ardhur krejtësisht rastësisht. “Kjo ka ndodhur krejtësisht aksidentalisht. Isha me familjen time duke kaluar kur për një moment dëgjova disa të shtëna.

Nga këto fatmirësisht nuk kemi pësuar asgjë dhe të gjithë jemi mirë. Ishte moment i frikshëm pasi ndodhi shumë shpejt dhe nuk arritëm të kuptonim sa çfarë po ndodhte.

Pas kësaj jemi ndalur dhe kemi parë që makina është goditur nga një plumb që fatmirësisht nuk lëndoi askënd nga pjesëtarët e familjes sime”, u shpreh Edo.

36-vjeçari ka zbuluar se pas kësaj ngjarjeje i është drejtuar Stacionit të Policisë së Kosovë për të treguar se çfarë ndodhi.

“Nuk kemi pësuar ndonjë lëndim përveç makinës e cila është goditur nga një plumb, por e rëndësishme që ne jemi mirë. Pas kësaj kam dhënë një deklaratë në Polici dhe gjithçka është sqaruar”, theksoi Azemi.

Image

Luan ndaj Bullgarisë

Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, i cili ishte me fat ditën e së premtes ku ka mundur të pësojë pas një përleshjeje me armë zjarri, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme që Kosova e luan ndaj Bullgarisë. Kapiteni i Kosovës tha se do të jetë i gatshëm për këtë duel tejet të rëndësishëm që ka Kosova, në kuadër të ndeshjeve eliminatore për Kampionatin Evropian “EuroBasket 2017”.

“Pavarësisht kësaj që ka ndodhur, të premten jam i gatshëm të luaj me Kosovën për t’i ndihmuar, për këtë ndeshje.

Image

Do të jetë një takim i vështirë pasi dihet që Bullgaria ka një skuadër shumë të mirë, por ne do të japim maksimumin që në këtë ndeshje të dalim fitues”, përfundoi Azemi.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:00, në palestrën “Minatori”, në Mitrovicë.

Image

Të kujtojmë që në ndeshjen në Bullgari basketbollistët kosovarë kanë pësuar humbje me rezultat 105:84.

Për të siguruar vendin e tretë Kosova duhet të fitojë me mbi 21 pikë dallim, për të arritur që të sigurojë pjesëmarrjen në ndeshjet eliminatore për Kampionatin Botëror, në rast të fitores me rezultat më të vogël se 21 pikë dallim do të kërkojë të luajë ndeshjet eliminatore përmes një faze tjetër eliminuese për të siguruar ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror.