Pas Herolind Shalës, edhe Sadiku nënshkruan me Kasimpasan

Sport August 18, 2016 - 14:23

Loret Sadiku i është bashkuar sot Herolind Shalës në radhët e klubit të Kasimpasa në kampionatin turk.

Mbrojtësi 25 vjeçar i përfaqësueses së Kosovës, i cili në dy vitet e kaluara ishte aktivizuar me turqit e Mersin, ka firmosur dje kontratën e re me klubin që po përforcohet ndjeshëm para fillimit të sezonit të ri.

Sipas njoftimit të publikuar nga vetë klubi, Sadiku ka firmosur një kontratë trevjeçare me Kasimpasa, ku pritet të jetë një titullar në qendër të mbrojtjes. Futbollisti ka qenë ndër më të spikaturit në sezonin e kaluar me klubin e Mersin, edhe pse ky klub ra nga kategoria.

Image

Pikërisht ky largim nga elita e futbollit turk të Mersin, i mundësoi Sadikut që të largohej dhe të vazhdonte të mbetej pjesë e Superligës turke.

Sadiku tashmë është një titullar i paprekshëm në radhët e përfaqësueses së Kosovës. Futbollisti u kontaktua nga trajneri Gianni de Biasi dhe iu dha pasaporta shqiptare, në mënyrë që të luante me kuqezinjtë.

Por lojtari i cili më parë kishte veshur fanellën e kombëtareve të moshave të Suedisë,  zgjodhi që t’i bashkohej përfaqësueses së Kosovës.