Producenti i “O Sa Mirë”: Jam i shokuar, Arti ka qenë djalë i gëzueshëm

Showbiz April 24, 2018 - 14:23

Vdekja e tij e tronditi gjithë Kosovën. Art Kurti u gjet sot pa shenja jete në një veturë në rrugën Gjakovë – Goden. Për një kohë ai u morr edhe me aktrim, në publik njihej edhe si “Gjakovari” për rolin e tij në serialin vendor “O Sa Mirë”, shkruan Gazeta Express.

Arti, u bë i njohur në serialin “O Sa Mirë”. Ai luajti në serial pothuajse për një sezonë ku u bë shumë i dashur për publikun shqiptar.

Express ka kontaktuar me producentin e “O Sa Mirë”, Fisnik Vejsa i cili Artin e përshkruan si djalë të mirë, të gëzueshëm. Vejsa ndihet i shokuar me lajmin për vdekjen e Artit.

“Djalë i mirë, i urtë, familjar... U kan shumë i shyrtehshëm, i gëzushëm, i hareshëm”, thotë Vejsa për Kurtin.

Art Kurti së fundmi ishte angazhuar edhe si kryetar i të rinjve në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mas neve i është bashkangjit jetës politike, kohë pas kohe kemi kontaktu kemi qenë në kontakt”, shtoi Vejsa.

Më tej, Vejsa tha se është i shokuar me vdekjen tragjike të të riut.

“Lajmin e morra vesh prej portaleve, prej mediave. Jam i shokuar”, përfundoi ai.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dyshohet se ai bëri vetëvrasje. Në veturë është gjetur vetëm një armë dhe viktima ka pasur një fishek të shkrepur në kokë.