Eugent Bushpepa do të përfaqësojë Shqipërinë në 'Eurovision 2018'

Showbiz December 24, 2017 - 08:01

Ka përfunduar mbrëmë nata finale e edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Pas një nate plot surpriza, ku performuan plot 14 artistë, erdhi edhe momenti i shpalljes së fituesit.

Juria vendosi që kënga fituese e festivalit të jetë “Mall” nga Eugent Bushpepa, i cili tashmë zyrtarisht do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2018”.

Këngëtari Eugent Bushpepa fiton edicionin e 56-të të Festivalit të Këngës në RTSH, duke siguruar biletën për në “Eurovision 2018”

Kënga “Mall” është një kompozim i vetë artistit, ndërsa edhe vargjet e tekstit i ka shkruar gjithashtu vet.

“Fillimisht do doja të falënderoja Radio Televizionin Shqiptar, dhe jurinë shumë të respektuar, e cila mëdha mundësinë që të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision”, tha këngëtari Bushpepa, pasi pranoi çmimin e pare në skenë.

Vendi i dytë i takoi këngës “Egziston”, kënduar nga Redon Makashi, gjersa vendi i tretë shkoi për artistes Inis Neziri për këngën e saj “Piedestal”.

Mbrëmja e edicionit të 56-të të Festivalit të RTSH-së, përfundoi nën drejtimin e Adi Krastës dhe Jonida Shehut.

Ndërkohë, “Eurovision 2018” do të zhvillohet në datat 8, 10 dhe 12 maj në Lisbonë të Portugalisë. /Telegrafi/