Aktori hollivudian, Randall Paul zbulon rrënjët shqiptare

Showbiz September 15, 2017 - 21:08

Një esktremiste fetare, burri i së cilës ka kryer një atentat, përpiqet të çojë drejt së njëjtës rrugë të birin e saj të vetëm, por plani i saj ndesh një grup agjentësh specialë të cilët e pengojnë në realizimin e qëllimit.

Është ky subjekti i filmit “Parajsa e Zezë”, një film qe ka sjellë në Shqipëri aktorin dhe koordinatorin e njohur të Hollivudit, Randall Paul, i cili duket se rrënjët e hershme i ka në Shqipëri.

“A e di çfarë? Është për të qeshur. Gjyshi im ishte bullgar dhe vëllai i tij u martua me një shqiptare. Pra, unë kam një xhaxha shqiptar, Bertin. Kur jeton jashtë Shqipërisë as nuk e ke idenë se si është ajo. Kur vjen dhe e viziton ndryshon e tërë perspektiva. Ushqimi është fantastik. Njerëzit janë shume të bukur dhe të sjellshëm”, thotë Paul.

I joshur nga regjisori Sokol Martin Pepkolaj, me të cilin janë njohur në setin e xhirimeve në një prodhim italian, Paul vendosi të niste këto ditë në Tiranë xhirimet e trailerit.

“Ne kemi miq të përbashkët në industrinë e kinematografisë. Një ditë po flisnim rreth skenarit të këtij filmi. Mua më pëlqeu dhe kështu u bëmë bashkë në këtë ide. E rëndësishme në pikën ku jemi është të rishohim skenarin. Ne po xhirojmë trailerin në Shqipëri dhe pastaj në një paketë duhet të fusim produksionin e t’ua prezantojmë investitorëve që të na mbështesin. Profesionistët bëhen bashkë për të lënë më shumë përshtypje. Kjo është gjëja më e rëndësishme tani për tani”, shprehet Paul.

“Filmi bën fjalë për një histori të vërtetë, për terrorizmin që fshihet pas fesë, për një fenomen shumë të rrezikshëm, që dhe pse e gjithë bota ia ka frikën askush nuk e lufton”, thotë nga ana tjetër regjisori shqiptar Pepkolaj. /tch/