Eli Fara rrëfen periudhën më e vështirë të jetës: Momentet kur jam divorcuar …

Showbiz June 02, 2017 - 13:32
E preku skenën si këngëtare e muzikës popullore kur ishte ende shumë e re në moshë dhe për me vite me radhë i ndau emocionet me publikun. Mes shumë sfidave, pengesave e sakrificave, ia doli ta ruajë emrin e saj dhe të jetë në ҫdo kohë e preferuara e të gjithëve. Me këngët e Eli Farës janë rritur breza të tërë, aq sa shumë prej tyre kujtojnë me nostalgji fillimet e artistes në skenat muzikore… Ndoshta jo të gjithë ia kujtojnë nishanin, por, pa dyshim, të gjithë ia kujtojnë “25 gërshetat” e famshme.

Sot, ndërsa kanë kaluar shumë vite, Eli i kujton me nostalgji fillimet e saj në muzikën popullore dhe pranon me modesti se “është e lindur për të kënduar muzikë popullore.” Jo më kot i kthehet asaj herë pas herë. Edhe pak ditë më parë është rikthyer në “kostumin” që i rri më mirë, muzikën popullore burimore, që vjen organike dhe origjinale edhe në kordat e saj.

Por jeta, megjithëse i ka bërë një dhuratë të madhe, zërin, jo rrallëherë e ka vënë edhe përballë pengesave e vështirësive, pa të cilat Eli nuk do të kishte të njëjtin sukses. Së bashku me Marinën, vajzën e saj, i është dashur të përballojë ҫdo gjë që i ka dalë përpara pa mbështetjen e një figure mashkullore në familje.

E ftuar tek “Rudina”, në Tv Klan, e vendosur përballë pyetjeve të publikut, Eli është pyetur edhe për momentin më të vështirë, pas të cilit jeta i mori tjetër rrjedhë.

Dita që Marina erdhi në jetë, tregon këngëtarja, ka qenë dita më e bukur dhe më e veҫanta e jetës së saj, ndërsa ditë të vështira ka pasur shumë: “Ditë të vështira ka pasur disa, por do të veҫoja ndoshta periudhën kur m’u desh të divorcohesha dhe të përballoja jetën kur Marina ishte vetëm 9 muajshe…”

Sot, kur Marina është rritur shumë dhe këngëtarja nuk ka ndryshuar shumë, ato janë si dy pika uji, kështu që Eli ka të gjitha arsyet për të qenë një nënë krenare: “Besoj që ia kam dalë me sukses” – thotë ajo pa u përpjekur të kujtojë më shumë për periudhën më të vështirë të jetës.