Aktoret e Hollivudit u bashkohen protestave në Uashington kundër Donald Trumpit

Showbiz January 12, 2017 - 09:02

Shumë aktore të Hollivudit do t’u bashkohen protestave masive kundër presidentit të ri amerikan Donald Trump, një ditë pas inaugurimit të tij në Uashington, kanë bërë të ditur organizatorët.

“Protesta e një milion femrave” është organizuar përmes “Facebook”-ut dhe për një kohë të shkurtër ka marrë mijëra përkrahëse, ka thënë Bob Bland, njëra nga organizatoret e tubimit në Nju Jork dhe ka shtuar se në kryeqytetin amerikan, më 21 janar pritet të marrin pjesë më shumë se 100 mijë protestuese, përcjell "Zeri.info".

Në mesin e personaliteteve të famshme do të gjenden edhe aktoret: America Ferrera, Amy Schumer, Scarlett Johansson, Julianne Moore, Frances McDormand, Ariana Grande, Jennkfer Lawrence si dhe këngëtaret Katy Perry dhe Cher.

Në rrugët e Uashingtonit në shenjë proteste do të shëtisin edhe yjet si: Debra Messing, Uzo Aduba, Patricia Arquette, Danielle Brooks, Diane Guerrero, Padma Lakshmi, Olivia Wilde, Constance Wu dhe Zenday, transmeton "Zeri.info".

Aktorja dhe producentja Chelsea Handler në të njëjtën kohë do të udhëheqë demonstrata të ngjashme në Park City në Utah.

Kjo do të jetë njëra nga shumë protestat që do të mbahen një ditë pas inaugurimit në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.

Gratë janë të brengosura se Donald Trump mund të zvogëlojë apo të heqë të drejtat e tyre.

Gratë janë koordinuar përmes rrjeteve sociale dhe interesimi ka qenë i madh në të gjitha shtetet. /ZËRI/