Shëndetësi

A ekziston gjeni i inteligjencës

A ekziston gjeni i inteligjencës
14 shtator 2018 • 12 : 12

Lexo detajet

Dhjetë mijë orë. Kaq ushtrime thuhet se nevojiten për ta arritur ndonjë nivel mjeshtëror të ekspertizës në diçka - qoftë gatimi, shahu apo interpretimi në piano.

Por edhe sasia e madhe e ushtrimit nuk e shpjegon dallimin në mes të dikujt që është me të vërtetë i shkëlqyeshëm dhe dikujt që ka zotërim të mjaftueshëm, por nuk është edhe gjeni në të njëjtën gjë. Ushtrimi, megjithatë, ndikon ndryshe tek secili.

Psikologët kognitiv, Fernand Gobet dhe Guillermo Campitelli, konstatuan se lojtarët e shahut dallojnë në masë të madhe në sasinë e ushtrimeve të qëllimshme të cilat u nevojiten për ta arritur një nivel të caktuar të aftësive në shah.

Për shembull, numri i orëve të ushtrimeve të qëllimshme, të cilat janë të nevojshme për ta arritur statusin e “mjeshtrit” (nivelit shumë të lartë të aftësisë), shkon nga 728 deri në 16.120 orë. Kjo do të thotë se ndonjë lojtari, që të bëhet mjeshtër, i duhet 22 herë më shumë ushtrime të qëllimshme se një tjetri.

Me çfarë ta mbushim boshllëkun? Me gjenet e dikujt. Kërkimi për variacionet gjenetike që e bëjnë ndonjë atlet të talentuar, muzikant, apo thjesht person të mençur, zgjat për dekada të tëra, por nuk është zbuluar asnjë variacion gjenetik që do t’i shpjegonte dallimet natyrore në inteligjencën në mes të njerëzve.

Përparim më i madh i hulumtuesve është zbulimi i fillimit të këtij viti, kur në mënyrë të sigurt i lidhën tri variacione gjenetike me inteligjencën. Megjithatë, efekti maksimal i këtyre tri kombinimeve ishte vetëm 6 njësi të IQ-së, që është paksa konstatim zhgënjyes, por edhe i besueshëm.

Ekzistojnë shumë aspekte të “inteligjencës”. Një nga më të rëndësishme është kujtesa. Aftësia për të mbajtur gjërat nga listat në kujtesë afatshkurtër dhe aftësia për t’i konvertuar këto ide në kujtesë afatgjatë janë bazë e të mësuarit dhe kanë rëndësi vitale për inteligjencën.

Procesi i konvertimit përfshin një numër të neurotransmetuesve dhe strukturave të trurit. Çdo variant gjenetik për të cilin është konstatuar se ndikon në inteligjencën e përgjithshme mund të ndikojë në mënyrë subtile në cilindo nga sasia e panumërt e këtyre proceseve neurokimike.

Prandaj, nuk është për t’u habitur se kërkimi për gjene të tilla, madje edhe në studimet më të detajuara dhe më të rëndësishmet, nuk ka avancuar shumë. Ekzistojnë ndoshta mijëra variacione të këtyre efekteve, ndërsa me kombinimin dhe ndërveprimin e tyre me mjedisin e caktuar individual, mund të jetë e mundur që të shpjegohet spektri i natyrshëm që e shohim në inteligjencën e njeriut. Ose pse dikush ka nevojë për praktikë 22 herë më pak se dikush tjetër.

© zëri.info