Refugjatja e gjen çantën me 14.000 euro në të, e dorëzon në polici

Lifestyle September 20, 2017 - 16:11


Policia në Berlin të Gjermanisë e ka lavdëruar një refugjate, e cila e ka dorëzuar një çantë dore me 14.000 euro në të, të cilën e kishte gjetur në një metro treni.

Çanta ishte lënë në metron e trenit U-Bahn të premten në mbrëmje nga një grua 78-vjeçare, shkruan BBC, përcjell Express.

Pak pasi e kishte harruar çantën, ajo e kishte kuptuar gabimin dhe e kishte raportuar rastin në polici, por policia nuk ka qenë në gjendje ta gjurmojë çantën.

Çanta është gjetur nga një studente 16-vjeçare nga Iraku, gjë për të cilin i kishte treguar nënës së vet. Dy ditë më pas, ato e dorëzuan çantën në polici.

E dje, policia gjermane e shkroi këtë status në Twitter:

“Një studente e gjeti çantën me 14.000 euro dhe e dorëzoi në polici. Pronarja është e lumtur. Ne themi shkëlqyeshëm dhe faleminderit”.

Familja, e cila jeton në një qendër refugjatesh, ka shumë mundësi të shpërblehet për sinqeritetin, thonë mediat gjermane./Express