Si të ruani një lidhje në distancë

Lifestyle June 16, 2017 - 08:46

Përdorimi i teknologjisë nuk është një nga rrugët më efikase që është sugjeruar nga psikologët për të ngjizur një dashuri, por me sa duket kohët e fundit ajo është e vetmja për ta mbrojtur. Komunikimi është gjëja më e rëndësishme në një raport dhe vetëm përdormi i chatit apo i e-maileve do ta ndihmonte atë

Të jetosh një lidhje në distancë është e vështirë sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e saj. Në shumicën e rasteve eksperiencat kanë treguar se rasti mbetet i pashpresë. Megjithatë kohët e fundit me intensifikimin e mjeteve të ndryshme teknologjike gjasat për ta mbajtur në jetë janë rritur. Por edhe më shumë dëshirë, besim dhe forcë vullneti ju mund të sfidoni kilometrat që iu ndajnë. Ja disa prej këshillave që sugjerohen në këto raste.

Përdorni teknologjinë

Përdorimi i teknologjisë nuk është një nga rrugët më efikase që është sugjeruar nga psikologët për të ngjizur një dashuri, por me sa duket kohët e fundit ajo është e vetmja për ta mbrojtur. Komunikimi është gjëja më e rëndësishme në një raport dhe vetëm përdormi i chatit apo i e-maileve do ta ndihmonte atë. Teknologjia është një nga mundësitë më efikase për argumentin në fjalë, pra për ata që dashurojnë në distancë. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për e-mailin apo për një program të thjeshtë chat-i, por për ato programe komunikimi në distancë, që të lejojnë komunikim më të ngushtë sesa thjesht një telefonatë apo disa shkronja që jepen e merren. Mjafton të blesh një ‘webcam’, që të jep mundësinë jo vetëm të flasësh dhe të shkruash, por edhe të shihesh në sy.

Ruani gjakftohtësinë

Të sqaruarit është një nga këshillat kryesore që iu jepen jo vetëm çifteve në përgjithësi por sidomos atyre që janë në largësi. Mos flini kurrë pa sqaruar më parë një keqkuptim që mund të ketë lindur gjatë bisedës së bërë në largësi. Dhe duhet thënë që në kushte të tilla, keqkuptimet janë të pranishme më tepër se ç’duhet. Largësia është e tmerrshme. Mund të zihesh edhe për gjëra që në rrethana të tjera thjesht mund të të bënin të qeshje. Rrjedhimisht pasojat e një zënke që vijnë në kushtet e një distance të largët, janë vërtet të pakëndshme. Më pak kokëfortë dhe inatçi duhet të pranoni faktin se buzëqeshja do të jetë arma më e mirë që mund të përdorni në raste të tilla.

Jini sa më transparentë

Përpiqu të jesh gjithmonë sa më e qartë dhe transparente në ato që thua dhe përpiqu që të mos lësh hapësira komprometuese ku partneri të ketë mundësi të hamendësojë. Partnerët që mbajnë një lidhje në largësi, janë gjithmonë shumë të ndjeshëm, madje edhe shumë xhelozë. Më mirë zgjat kohën duke treguar edhe detajet më të vogla, sesa të lësh boshllëqe që lënë vend për të dyshuar apo për t’u keqkuptuar. Mos i lër asnjë shteg që të ‘notojë’ nëpër mendimet e tij të stërholluara, që mund ta çojnë kushedi se ku. Të flasësh në distancë dhe të tregosh diçka qoftë edhe shumë të rëndomtë, nuk është e njëjta gjë si të komunikosh ballë për ballë, kur ke mundësi të kontrollosh shprehitë, emocionet apo edhe veprimet më transparente.

Bëji surpriza

Nëse brenda mundësive tuaja përfshihen edhe udhëtimet atëherë ji sa më aktive në planifikimin e tyre. Madje nëse do t’i organizoje papritur do të ishin vërtet të bukura sepse do të linin pas ndjesitë e kujtimeve të veçanta dhe surprizave. Përpiqu të hartosh një plan udhëtimi të tillë, që të japë mundësi të takoheni me të disa herë gjatë gjithë vitit. Mundohuni gjithashtu që vizitat e tij tek ti apo anasjellas, të jenë sa më të shpeshta. Por kujdes në administrimin e parave. Do të ishte mirë që të ardhurat e planifikuara për udhëtime të administrohen në mënyrë të tillë, që t’iu japin mundësi të takoheni në periudha të ndryshme të vitit. Në këto lloj rastesh vini në funksion edhe trurin. Mos e lini veten të udhëhiqeni vetëm nga ndjenjat.

Më shumë besim dhe vullnet

Por edhe pse e thënë në fund ajo që ka rëndësi primare në mbrojtjen e një lidhjeje në distancë është besimi, vullneti dhe dëshira e mirë për ta mbajtur atë ende në jetë. Është vërtet e rëndësishme të besosh në lidhjen tënde dhe të mos lejosh të bëhesh pre e gjykimit që mund t’iu mbërthejë papritur dhe vazhdueshëm. Lërini shqetësimet, dyshimet për situata të tjera. Ballë për ballë ju mund të shpreheni më mirë dhe të kuptoni të vërtetën që e hidhur apo jo mbetet e shenjtë.