Taulant Mehmeti interpreton për 'WBGO Radio'

Kultura March 24, 2016 - 08:44

Këngët e vjetra të muzikës shqipe si “Baresha”, “Hajredin Pasha” e “Martesa”, janë aranzhuar nga xhaz-kitaristi, Taulant Mehmeti, dhe në mbrëmjen e së mërkurës janë transmetuar në “WBGO Radio”, një nga radiot më të mëdha të muzikës xhaz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mehmeti thotë se kjo është një nga mënyrat më të mira që bota e gjerë të njihet me muzikën shqipe. 

Për Taulantin një interpretim i tillë, rreth 25-minutësh është shumë i rëndësishëm.

“Kam performuar me ‘New School Improvisation Ensemble’, drejtuar nga kitaristi legjendar Vic Juris”, ka treguar Mehmeti, i cili deri më tani në botën e xhazit në Amerikë ka pasur disa interpretime të suksesshme.  

Bashkë me Taulantin kanë interpretuar edhe Cemre Necefbas (Turqi) e cila ka kënduar, pastaj Carod Requesens (Spanjë) ka qenë me violinë, Paul Tafoya (USA) me trombë, Alex Blade Silver (USA) me saksofon, Sammy Weissberg (USA) në bas dhe Liam Zahm (USA) me bateri. “Të gjithë e kanë mirëpritur këtë bashkëpunim, të gjithë e duan muzikën”, tregon Mehmeti, për muzikantët me të cilët ka interpretuar.

“Pjesët që i kemi performuar janë të gjitha këngë shqip”, ka treguar Mehmeti për “Zërin”, derisa ka thënë se “New School Improvisation Ensemble” është pjesë e “New School for Jazz and Contemporary Music” në New York.

“Unë i kam zgjedh instrumentistët dhe këngët të cilat i kam aranzhuar në versione xhaz”, është shprehur ai, derisa ka thënë se përzgjedhja e këtyre artistëve ka qenë propozim i tij.

“Për mua kjo performancë është shumë e rëndësishme, sidomos sepse është në radio”, tregon Taulant Mehmeti, i cili një vit më parë ka interpretuar në klubin më të madh të xhazit në botë, “Blue Note”, ndërsa mysafir special në këtë koncert ka qenë kitaristi legjendar Vic Juris.

Mehmeti thotë se është një prezantim i mirë që është duke iu bërë muzikës me motive shqiptare.

“Këto aranzhime dëgjohen prej miliona njerëzve në Amerikë”, është shprehur kitaristi, duke shtuar se një interpretim i tillë është i rëndësishëm për prezantimin e punës së tij.

“Ky transmetim është për njerëz që ende nuk kanë dëgjuar muzikë tradicionale prej Kosove ose Shqipërie”, thotë Taulanti për gazetën. Ai tregon se paraqitje të tilla i hapin dyer në botën e muzikës.

“‘Baresha’, ‘Hajredin Pasha’ dhe ‘Martesa’ të aranzhuar nga unë janë transmetuar në ‘WBGO Radio’.

Ky ishte një live-set që i performuam këto tri këngë, pastaj kam dhënë edhe një intervistë në radio”, ka thënë Taulant Mehmeti, derisa shprehet se interpretime të tilla mundësojnë që muzika shqipe të dëgjohet sa më shumë nëpër botë.

“Performanca live ishte rreth 25 minuta, ndërsa bashkë me intervistë ishte diku 40 minuta”, ka treguar kitaristi, student në “New School for Jazz and Contemporary Music”.

“WBGO Radio më ka ftuar për një performancë të tillë”, thotë Mehmeti.