Mbi 15 mijë turistë e vizituan Kalanë e Rozafës në tre muajt e parë të vitit

Mbi 15 mijë turistë e vizituan Kalanë e Rozafës në tre muajt e parë të vitit

Kultura April 07, 2024 - 10:09

Kalaja e Rozafës në Shkodër edhe gjatë 3-mujorit të parë të këtij vitit ka shënuar një numër të lartë vizitorësh.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se “mbi 15.000 turistë na kanë vizituar gjatë tre muajve të parë të vitit 2024”.

Sipas DRTK Shkodër, Rozafa është mbresëlënëse për të gjithë ata që marrin një copëz Shqipërie me vete.

Ndërkohë që vetëm në muajin mars të këtij viti kjo kala u vizitua nga 7025 vizitorë. Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, kalaja e Rozafës u vizitua nga 2336 persona më shumë.

Investimet e kryera në kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-79 në pjesën e poshtme të qytetit.

Gjithashtu vizitorët vendas e të huaj shuajnë kureshtjen e tyre mbi legjendën e flijimit, që fshihet nën themelet e kalasë.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare./atsh