Konjufca në ekspozitën “Kosova në gjuhët e botës”: Lufta e popujve për liri duhet të zhvillohet në shumë fronte

Konjufca në ekspozitën “Kosova në gjuhët e botës”: Lufta e popujve për liri duhet të zhvillohet në shumë fronte

Kultura March 25, 2024 - 16:10

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka marrë pjesë në ekspozitën “Kosova në gjuhët e botës”, hapur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të sulmeve ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë dhe Jugosllavisë.

Konjufca tha se kjo ekspozitë nxit të reflektojmë se lufta e popujve për liri e çlirim, e veçanërisht e popujve të vegjël, gjithnjë duhet të zhvillohet në shumë fronte, raporton Zeri.info.

“Përkimi i kësaj ekspozite të librave të shkruara për Kosovën në gjuhë të huaj, me luftën që NATO e nisi për të shpëtuar popullin e Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi, na nxit domosdoshmërisht të reflektojmë se lufta e popujve për liri e çlirim, e veçanërisht e popujve të vegjël, gjithnjë duhet të zhvillohet në shumë fronte, sepse ajo shumë shpesh varet nga aleanca dhe mbështetja e popujve dhe shteteve të mëdha”, u shpreh Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se sensibilizimi i opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtën e saj për liri dhe pavarësi nga Serbia ka qenë një front i rëndësishëm në realizimin e aspiratave të popullit shqiptar dhe se ishin autorët e huaj, përkatësisht kontributi i tyre që ndikoi padyshim në krijimin e një opinioni pozitiv në botë për lirinë e shqiptarëve.

“Kjo ka qenë veçanërisht e rëndësishme edhe për faktin se propaganda serbe kundër Kosovës në qarqet evropiane e perëndimore ka qenë e hershme dhe intensive. Pavarësisht kontributit që elitat tona intelektuale, duke përfshirë edhe shumë anëtarë të nderuar të kësaj Akademie, kanë dhënë në përhapjen e të vërtetës shkencore e historike për Kosovën dhe çështjen e pazgjidhur shqiptare në Ballkan, kontributi i autorëve të huaj, miqve të Kosovës, shumë prej të cilëve kanë bartur edhe detyra të larta drejtuese, ka ndikuar pa dyshim në krijimin e opinionit pozitiv të publikut të huaj mbi të drejtën e vendit tonë për liri dhe pavarësi”, tha ai ndër tjera./Zëri