Begaj: Papingji poet besnik i fjalës, tekstet e tij i rezistuan kohërave
Foto: Laura Hasani

Begaj: Papingji poet besnik i fjalës, tekstet e tij i rezistuan kohërave

Kultura March 23, 2024 - 12:03

Presidenti Bajram Begaj dërgoi një kurorë lulesh në homazhet e zhvilluara për "Mjeshtrin e Madh", Jorgo Papingji, i cili u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Ndërsa vlerësoi ndikimin e poetit në shoqërinë shqiptare përmes teksteve në këngët e muzikës së lehtë dhe popullore, Presidenti i përcolli ngushëllime familjes përmes një telegrami.

"Ne që u rritëm me muzikën e veshur aq mjeshtërisht nga vargjet e teksteve të tij, ëndërruam, medituam e reflektuam mbi to, do ta kujtojmë si poetin më të dashur.

Tekstet e tij i rezistuan të gjitha kohërave, sepse ai nuk ra në kurthin e eksperimenteve kalimtare, por mbeti poeti besnik ndaj rëndësisë së fjalës", shkruan Begaj.

Jorgo Papingji, shkruesi i disa prej teksteve më në zë në muzikën shqiptare është shuar në moshën 81-vjeçare.  Tekstëshkruesi i mijërave teksteve të këngëve të dashurie për shqiptarët në “Festivalin e Këngës”, Jorgo Papingji ndahet nga jeta pas një gjendje të rënduar shëndetësore.

Nga hollin e Radio Tiranës , sot (23 mars) nga ora 09:00 deri ne 11:00 do t’i jepet lamtumira e fundit Jorgo Papingjit, një ndër poetët simbol të muzikës shqiptare./rtsh