Organizohet Akademi Përkujtimore për Adriana Abdullahun në 25-vjetorin e vrasjes së saj

Organizohet Akademi Përkujtimore për Adriana Abdullahun në 25-vjetorin e vrasjes së saj

Kultura March 22, 2024 - 17:23

Sot është organizuar akademi përkujtimore për Adriana Abdullahun në 25-vjetorin e vrasjes së saj.

Në këtë akademi i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kujtoi talentin e saj të rrallë, përkushtimin e palëkundur për edukimin dhe kapacitetin e saj të pashoq në aktrim, vlera të cilat asaj edhe ia dhanë nofkën “Engjëlli i Dodonës”, raporton Zeri.info.

“Pa provokim, pa asnjë arsye u sulmua arti i Kosovës, u sulmuan artistët tanë. Në këtë mes tragjikisht humbëm Adrianën tonë. Por jo edhe magjinë e saj. Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë”, u shpreh Kurti.

Ai dënoi vrasjen e padrejtë të Abdullahut nga forcat serbe, teksa u shpreh se ajo dhe jeta e saj do të jenë përjetshëm në vendin e rezistencës dhe flakës së ndezur për jetë dhe liri në vendin tonë.

“Gjeneratat e reja, duhet të kenë mundësinë e njohjes së shembujve të mirë, të dëshirës dhe të dashurisë së pareshtur për të krijuar edhe në kohërat më të vështira edhe në kushtet më të rrezikshme. Ky është mësimi më i madh që na jep Adriana, ende edhe pas 25 vitesh që nuk ndodhet fizikisht me ne”, shtoi tutje ai.

“I përjetshëm e përherë i ri qoftë kujtimi për të!” tha kryeministri.