Vdes poeti Jorgo Papingji

Vdes poeti Jorgo Papingji

Kultura March 21, 2024 - 22:36

Poeti dhe autori i teksteve të shumë këngëve shqipe, Jorgo Papingji, ka vdekur sot në moshën 82-vjeçare.

Jorgo Papingi, u lind në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942. Ai, i cili ka shkruar mbi 4000 këngë, është vlerësuar me titullin “Mjeshtri i Madh”.

Ndër këngët e shkruara nga Papingji veçohen “Kur jemi bashkë të dy” e vitit 1980 kënduar nga Luan Zhegu, “Askush s’do ta besojë” dhe “Fat dhe jetë” kënduar nga Anita Bitri, “Kur e humba një dashuri” këngë fituese e kënduar nga Manjola Nallbani, “Rri me mua” kënduar nga Mira Konçi, “I thuaj jo” kënduar nga Ardit Gjebrea, “E doni dashurinë” kënduar nga Luan Zhegu dhe Ledina Çelo, “S’jam tribu” këngë fituese kënduar Aurela Gaçe dhe shumë këngë të tjera.

Kënga “Vetëm një fjalë” e vitit 1999 kënduar nga Elsa Lila mori pjesë në Festivalin Evropian të Këngës.

Për vdekjen e Papingjit kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Lamtumirë maestro Jorgo Papingji, autori i teksteve të dashurisë në koleksionin e këngëve më të kënduara shqiptare. U prehsh në paqe”, ka shkruar Rama në Facebook.

Edhe ministri shqiptar i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka shprehur ngushëllime për vdekjen e poetit, Jorgo Papingji.

“Lamtumirë mjeshtër Jorgo Papingji! Ndarja jote nga kjo jetë erdhi në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë! Kontributi yt i jashtëzakonshëm në vargje, i përkthyer mjeshtërisht në këngë, është një trashëgimi e vyer që do të mbetet përjetë pjesë e artit shqiptar. Kujtimi yt do të jetë gjithmonë burim frymëzimi për të gjithë brezat në vazhdim”, ka shkruar Gonxhja.

Për ndarjen nga jeta të poetit dhe mjeshtrit të teksteve të këngëve, Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së zhvilluar mbajti një minutë heshtje. /rtsh