Mbahet Dita Evropiane e Shkrimtarëve, pjesëmarrës pesë autorë shqiptarë

Mbahet Dita Evropiane e Shkrimtarëve, pjesëmarrës pesë autorë shqiptarë

Kultura March 21, 2024 - 15:17

Më 25 mars do të mbahet Dita Evropiane e Autorëve, që është një iniciativë e nisur në vitin 2023 nga Komisioni Evropian, ku do të marrin pjesë 120 autorë në shkolla të ndryshme dhe përkthyes nga 40 vende të ndryshme të Evropës, në mesin e të cilëve janë pesë shqiptarë.

Turneu i shkrimtarëve dhe përkthyesve evropianë, është organizuar bashkë me Komisionin Evropian dhe organizatat anëtare, bashkë me EUPL, në mënyrë që brezat e rinj të lidhen më shumë me leximin.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Këshillit të Shkrimtarëve Evropianë, në mesin e shkrimtarëve pjesëmarrës do të jenë pesë shqiptarë, tre prej të cilëve janë nga Kosova dhe dy të tjerë nga Shqipëria.

Shkrimtari Ag Apolloni do të mbajë prezantimin e tij në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, me librin e tij “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”.

Autorja tjetër, Vlora Konushevci, do të jetë e pranishme në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, me librin e saj “Lavdi Vetës”.

Kurse, autori Shpëtim Selmani, do të jetë në shkollën “Ali Asllani” në Doganaj të Kosovës, me librin e tij me poezi “Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit”.

Ndërkaq, autori nga Shqipëria, Arian Leka, do të marrë pjesë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë me librin “Hartë Memece për të mbyturit”, dhe Entela Kasi do të paraqitet në bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë me veprën e saj “Rikthimi”./kultplus

Image