'Fëmijët e lirë të Summerhillit'

Kultura November 20, 2018 - 12:46
Lexo detajet

Idetë që i proklamuan mendimtarët përparimtarë të shekullit XVIII, shekulli i idesë së lirisë, demokracisë dhe vetëpërcaktimit, i dhanë frytet e tyre në lëmin e edukimit në fillim të shekullit XX. Zëvendësimi i autoritetit me liri ishte parim kryesor në këtë vetëpërcaktim. Kuptimi i tij bazohej në edukimin e fëmijës pa përdorimin e detyrimit, me stimulimin e kureshtjes së fëmijës dhe nevojave spontane, ashtu që të ngjallet interesimi i fëmijës për botën që e rrethon. Ky qëndrim shënoi fillimin e arsimimit progresiv dhe qe hap me rëndësi për zhvillimi e personalitetit.

          Megjithëkëtë, rezultatet e kësaj metode të re qenë shpesh nën nivelin që pritej. Në kohën e fundit ka mjaft reagime të disfavorshme në arsimimin progresiv. Sot shumica mendon që vetë teoria është e gabuar dhe se si e tillë duhet të hidhet poshtë. Po forcohet lëvizja në drejtim të rritjes së disiplinës e po ashtu edhe fushat që arsimtarëve të shkollave publike t’u lejohet dënimi fizik i fëmijëve.

          Ndoshta faktori kryesor për një reagim të tillë është suksesi i madh i arritur në arsimin e Bashkimit Sovjetik. Atje përdoren plotësisht metodat e vjetra autoritare dhe rezultatet e arritura (së paku sa i përket dijes) dëshmojnë se do të vepronim më mirë po t’u ktheheshim masave disiplinore dhe t’i shmangeshim lirisë së fëmijës.

          A është ideja e arsimimit pa detyrim e gabuar? Po edhe sikur të mos ishte e gabuar vetë ideja, si mund të shpjegohet suksesi i saj relativ?

          Besoj se ideja për lirinë e fëmijëve nuk ka qenë e gabuar, por gati gjithmonë ka qenë e keqkuptuar. Për t’iu qasur sa më qartë kësaj çështjeje, së pari duhet ta kuptojmë natyrën e lirisë, e për ta bërë këtë duhet të bëjmë dallimin në mes të autoritetit publik dhe autoritetit anonim.*

          Autoriteti publik përdoret drejtëpërdrejt dhe prerë. Personi autoritar haptas i drejtohet të nënshtruarit: “Duhet ta bësh këtë. Përndryshe, kundër teje do të merren masa”. Autoriteti anonim tenton kah fshehja e përdorimit të detyrimit. Ai shtiret se autoriteti nuk ekziston, se çdo gjë bëhet me pajtimin e individit. Përderisa në të kaluarën arsimtari i thoshte Xhonit: “Duhet ta bësh këtë, përndryshe do të dënohesh”, arsimtari bashkëkohor thotë: “Jam i sigurt se do të pëlqejë ta bësh këtë”. Në rastin e fundit dënimi për mosdëgjim nuk është fizik, por shfaqet në fytyrën e pakënaqur të prindit ose, për më keq, në komunikimin e ndjenjës së “papërshtatshmërisë”, ndjenjës se nuk po veprohet siç veprojnë të tjerët. Autoriteti publik përdorte detyrimin fizik, derisa autoriteti anonim përdor manipulimin psikik.

          Kalimi nga autoriteti publik i shekullit nëntëmbëdhjetë në autoritetin anonim të shekullit njëzet ka qenë i kushtëzuar nga nevojat organizative të shoqërisë industriale bashkëkohore. Koncetrimi i kapitalit solli deri te krijimi i ndërmarrjeve gjigante, të cilat i udhëhiqte burokracia e organizuar në kierarki. Konglomerate të mëdha të punëtorëve dhe nëpunësve punojnë së bashku, me ç’rast çdo individ është pjesë e mekanizmit të madh të prodhimit të organizuar, i cili për të qenë në gjendje të funksionojë, duhet të funksionojë rrjedhshëm dhe pa ndërprerje. Punëtori i veçantë bëhet vetëm dhëmbëz e mekanizmit. Në një organizim të tillë të prodhimit, individi është i drejtuar dhe i manipuluar.

          Individi është po ashtu i drejtuar dhe i manipuluar në fushën e konsumit, ku ai e shpreh gjoja lirinë e zgjedhjes. Qoftë fjala për konsumimin e ushqimit, veshmbathjes, pijeve, cigareve, filmave apo programeve televizive, në veprim është aparati i fortë i sugjerimeve që ka dy qëllime: përherë të rrisë oreksin e individit për konsum dhe e dyta, ta drejtojë këtë oreks në drejtimin që është më rentabil për industrinë. Njeriu shndërrohet në konsumues, thithës të përhershëm dhe dëshira e vetme e tij është të konsumojë sa më shumë dhe më “mirë”.

          Sistemi ynë ekonomik duhet të krijojë njerëz që do t’i përshtaten nevojave të tij, njerëz të gatshëm për bashkëpunim, që dëshirojnë përherë e më shumë të harxhojnë. Sistemi ynë duhet të krijojë njerëz me shije standarde, njerëz që posaçërisht i nënshtrohen ndikimit, njerëz, nevojat e të cilëve mund të parashikohen. Sistemit tonë i nevojiten njerëz që ndihen të lirë dhe të pavarur dhe përkundër kësaj janë të gatshëm të bëjnë atë që pritet prej tyre, njerëz që pa kundërshtim do të përshtaten në mekanizmin shoqëror, të tillë që mund të drejtohen pa detyrim dhe udhëheqje dhe pa kurrfarë qëllimi tjetër përveç atij që të “kalojnë mirë”. Çështja domethënë nuk qenka autoriteti i zhdukur dhe ai as që është dobësuar, por vetëm që autoriteti i detyrimit publik është shëndrruar në autoritet anonim të bindjes dhe sugjestionit. Me fjalë të tjera, që të jetë i përshtatshëm, njeriu bashkëkohor është i detyruar të kultivojë iluzionin se çdo gjë ndodh me pëlqimin e tij, edhe pse ky pëlqim mund të detyrohet përmes manipulimit subtil. Pajtimi i tij, sipas kësaj, bëhet prapa kurrizit, ose prapa vetëdijes së tij.*  

          Shpikjet e njëjta aplikohen edhe në arsimimin progresiv. Fëmija është i detyruar ta përpijë pilulën, por ajo është e mbështjellë me shtresë sheqeri. Prindërit dhe arsimtarët i kanë ngatërruar arsimimin e vërtetë joautoritar me arsimimin përmes bindjes dhe detyrimit të fshehtë. Në këtë mënyrë arsimimi progresiv është degraduar. Nuk pati sukses të bëhej ajo që duhej të ishte dhe asnjëherë nuk u zhvillua ashtu si duhet.

II

          Sistemi i Aleksandër Nilit paraqet një qasje radikale të edukimit të fëmijës. Libri i tij, sipas mendimit tim, është shumë i rëndësishëm për arsye se paraqet parimin e vërtetë të arsimimit pa frikë. Në shkollën Samërhill autoriteti nuk është maskë për sistemin e namipulimit.

          Samërhilli nuk zhvillon teori, por e bart përvojën gati dyzetvjeçare drejtëpërdrejt… Autori është i kënaqur me konstatimin se “liria funksionon”.

          Në këtë libër janë paraqitur në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë parimet që e përbëjnë bazën e sistemit të Nilit. Ato mund të përmblidhen kështu:

          Nili beson thellë në “mirësinë e fëmijës”. Ai mendon se një fëmijë nuk lindet hendikap, qyqar apo automat i pashpirt, por disponon një potencial të plotë që ta dojë jetën dhe të jetë i interesuar për të.

          Qëllimi i arsimimit, në të vërtetë qëllimi i jetës, është që të punohet me dashuri dhe të gjendet lumturia. Sipas Nilit, të jesh i lumtur do të thotë të kesh interesim për jetë” ose si do të thosha unë, të reagosh në jetë jo vetëm me tru, por me tërë përsonalitetin.

          Zhvillimi intelekual nuk është i mjaftueshëm për arsimim. Arsimimi duhet të jetë sa intelektual, aq edhe emocional. Përvojat e njerëzve të sotëm janë kryesisht mendore e më pak paraqesin pasqyrim momental të asaj çka ndien zemra, sheh syri dhe dëgjon veshi. Në të vërtetë, të ndarit e intelektit nga ndjenjat, gati se e solli njeriun bashkëkohor deri te një gjendje mentale skizoide, në të cilën, përveç me ndihmën e të menduarit, ai u bë i paaftë që të shijojë gjësend.

          Arsimimi duhet t’u përshtatet nevojave dhe mundësive të fëmijës. Fëmija nuk është altruist. Ai ende nuk dashuron në kuptimin e dashurisë së pjekur të njeriut të rritur. Është e gabuar që nga fëmija të pritet diçka që ai mund ta shprehë në mënyrë hipokrite. Altruizmi zhvillohet pas fëmijërisë.

          Imponimi dogmatik i disiplinës dhe i dënimit krijon frikë, ndërsa frika krijon armiqësi. Nuk do të thotë që kjo armiqësi të jetë e hapur dhe e vetëdijshme, por edhe si e tillë ajo i paralizon ndjenjat autentike edhe iniciativën. Masat e rënda disiplinore ndaj fëmijëve janë të dëmshme dhe e pengojnë zhvillimin normal psikik.

          Liria nuk do të thotë mungesë e rregullave. Ky parim, të cilin e thekson Nili është shumë i rëndësishëm dhe qëndron në faktin që respektimi i personalitetit duhet të jetë reciprok. Arsimtari nuk e përdor imponimin ndaj nxënësit, por as fëmija s’ka të drejtë ta përdorë imponimin ndaj arsimtarit. I vogli nuk mund ta shqetësojë të rriturin vetëm për shkakun se është fëmijë e as nuk guxon të bëjë presion në një nga mënyrat e shumta që i di fëmija.

          Ngushtë e lidhur me këtë parim është nevoja për sinqeritet të vërtetë nga ana e arsimtarit. Autori thotë, se për dyzet vjet pune në Samërhill, asnjëherë nuk ka gënjyer ndonjë fëmijë. Cilido që të lexojë këtë libër, do të bindet se kjo deklaratë, sado që tingëllon si lëvdatë, është e vërtetë.

III

Duke e lexuar këtë libër kam ndier një shtytje dhe përkrahje të fortë. Besoj se kështu do të jetë edhe me shumë lexues të tjerë. Kjo s’do të thotë se pajtohem me çdo qëndrim të autorit. Gjithsesi që shumica e lexuesve nuk do ta lexojnë atë si një libër të shenjtë dhe jam i sigurt se shkrimtari do të dëshironte më së paku që të ndodhte kjo.

          Me këtë rast dua t’i shpreh dy rezervat e mia kryesore. Kam përshtypje se Nili disi e nënçmon rëndësinë, kënaqësinë dhe autenticitetin e konceptimit intelektual, në favor të pikëpamjeve estetike dhe emocionale ndaj botës. Më vonë, autori disi është i ndikuar mjaft me qëndrimet e Frojdit. Sipas mendimit tim, ai disi e mbiçmon rëndësinë e seksit, që është cilësi e frojdistëve. Por, megjithatë, mbetem në përshtypjen se shkrimtari është njeri që do të jetë real dhe shumë i vërtetë në konceptimin e asaj që ndodh në vetë fëmijën. Këto vërejtje kanë të bëjnë më shumë me disa formulime të tij sesa me qasjen e tij ndaj fëmijëve.

          E theksoj fjalën “real”, meqë në qasjen e shkrimtarit më së shumti vërehet aftësia e të vërejturit, zbërthimit të fakteve nga fiksioni dhe përmbajtja nga racionalizimi dhe iluzionet, me të cilat jetojnë shumica e njerëzve, me çka bllokohet përjetimi i autenticitetit.

          Nili është njeri që disponon me një guxim të rrallë për sot, guximin që të besojë në atë që shihet dhe që realizimi të kombinohet me besim të pangatërruar në arsyen dhe dashurinë. Ai me sukses e ruan besimin e pakompromis ndaj jetës dhe respektin për individin. Ai eksperimenton dhe vëren dhe nuk është dogmatik që punon nga egoizmi. Ai e ngatërron arsimimin me terapinë dhe për të terapia nuk është diçka e ndarë që duhet të zgjidhë “probleme” të veçanta, por thjesht, proces i demonstrimit para fëmijëve, se jeta ekziston për të qenë e kuptuar dhe jo për të ikur prej saj.

          Lexuesi do vërejë se mënyra e parashtrimit të këtij libri nuk mund të përsëritet shpesh në shoqërië e sotme. Kjo s’është vetëm për shkak se varet nga një personalitet i jashtëzakonshëm si Nili, por për arsye se të paktë janë prindërit që lumturinë e fëmijëve e kanë më të rëndësishme se “suksesin’ e vet. Por, ky fakt nuk e pakëson rëndësinë e librit në asnjë aspekt.

          Edhe pse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ekziston asnjë shkollë e ngjashme me atë të Samërhillit, ky libër mud t’i shërbejë çdo prindi. Kapitujt e tij do t’i detyrojnë ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj fëmijës dhe do të konkludojnë se mënyra e veprimit të Nilit në baraspeshën në relacion prind-fëmijë – liria nuk do të thotë mungesë rregullash – paraqet mënyrë të të menduarit që mund t’i ndërrojë rrënjësisht sjelljet e familjes.

          Zhvillimi i shëndoshë i personalitetit kërkon nga fëmija shkëputje të plotë nga lidhjet primare me babën dhe mëmën dhe nga substitutët e mëvonshëm në shoqëri, ashtu që me të vërtetë të bëhet i pavarur. Fëmija duhet të mësojë që të mos e kërkojë sigurinë në ndonjë lidhje simbioze, por në fuqinë e vet që botën ta konceptojë në mënyrë intelektuale, emocionale dhe estetike. Fëmija duhet ta përdorë tërë fuqinë e vet që të jetë në pajtim me botën e jo të kërkojë siguri përmes nënshtrimit apo dominimit.

          Funksioni i ndjenjës se fajësisë, në radhë të parë, është që ta lidhë fëmijën për autoritetin. Ndjenja e fajësisë është pengesë për arritjen e pavarësisë. Ajo e fillon ciklin që përherë oscilon në mes rebelimit, pendimit, nënshtrimit dhe rebelimit të ri. Fajësia, ashtu siç e ndiejnë shumica e njerëzve në shoqërinë tonë, nuk është reagim paraprak i zërit të vetëdijes, por në esencë është vetëdije për mosrespektimin e autoritetit dhe frikë nga ndëshkimi. Në këtë rast nuk është me rëndësi se a është dënimi i natyrës fizike, apo është fjala për shkurtimin e dashurisë, ose njeriu është detyruar të ndihet si autsajder. Çdo ndjenjë e fajësisë krijon frikë, ndërsa nga frika lind armiqësia dhe shtrirja.

          Në shkollën e Samërhillit s’ka religjion. Kjo s’do të thotë se në shkollën e Samërhillit nuk mbahet parasysh diçka që në përgjithësi mund të quhet vlerë humanitare. Nili thotë qartë: “Nuk bëhet luftë në mes atyre që besojnë dhe që nuk besojë në teologji, por në mes luftëtarëve për liri të njeriut dhe luftëtarëve për mbytjen e lirive të njeriut”. Pastaj autori vazhdon: “Një ditë, gjenerata e re nuk do ta pranojë religjionin e tejkaluar dhe mitet e të sotmes. Me ardhjen e religjionit të ri, do të hidhet poshtë ideja e lindjes së njeriut në mëkat. Religjioni i ri do t’i këndojë himne Zotit duke i bërë njerëzit të lumtur”.

          Nili është krijues i shoqërisë së sotme. Ai thekson se lloji i personalitetit që zhvillohet në të është – njeriu i masës. “Jetojmë në shoqëri të sëmurë” dhe “shumica e ritualeve tona fetare janë aktrim i thjeshtë”. Shumë logjikshëm, autori është internacionalist dhe ka qëndrim të fortë e të pakompromis, se gatishmëria e luftës barbare është atavizëm i racës njerëzore.

          Në të vërtetë Nili nuk mundohet t’i bëjë fëmijët të adaptueshëm për sistemin ekzistues, por mundohet t’i edukojë në mënyrë që të bëhen qenie të lumtura, meshkuj dhe femra, vlerat e të cilave nuk qëndrojnë në pasurinë e madhe, në të harxhuarit shumë, por në të qenit shumë. Nili është realist. Ai vëren se fëmijët, të cilët i edukon nuk do të mbërrijnë patjetër ndonjë sukses të veçantë në jetë, në kuptimin (standard) botëror, por do të disponojnë me sens për vlera të mirëfillta, që në mënyrë efikase do t’i ruajë nga të qenit njerëz të dështuar apo lypës të mjerë. Autori është orientuar nga zhvillimi i plotë i personalitetit e jo nga suksesi në treg dhe është plotësisht i sinqertë në mënyrën që ndjek deri te qëllimi i caktuar.

          Prindërit luftarakë do të çuditen me zbulimin e fuqisë së presionit që e bëjnë pavetëdijshëm ndaj fëmijëve. Ky libër do të duhej të ishte kontribut për kuptim të ri të fjalëve dashuri, miratim, liri.

          Nili shpreh respekt të pakompromis ndaj jetës dhe lirisë dhe është mohues i plotë i detyrimit. Fëmijët e edukuar me metoda të tilla do të zhvillojnë në vete kualitete si arsyeshmëria, dashuria, integriteti dhe guximi, që janë qëllime të traditës humanitare të Perëndimit.

          Nëse kjo mund të ndodhë në Samërhill, atëherë mund të ndodhë gjithkund – kur njerëzit do të jenë të gatshëm për këtë. Me të vërtetë, siç thotë shkrimtari i madh, nuk ekzistojnë fëmijë problematikë, por vetëm “prindër problematikë” dhe “njerëzim problematik”. Besoj se puna e Nilit do të jetë farë që do të mbijë. Me kohë idetë e tij do të jenë shumë të pranuara në shoqërinë e re, ku vetë njeriu dhe hapja e tij paraqesin qëllimin kulminativ të çdo veprimi shoqëror.

Përktheu nga gjuha serbokroate

Ganimete Pashoja Myftiu