Mbi njëzet botues kosovarë në Panairin e Tiranës

Kultura November 13, 2018 - 09:45

Argjenda Selmani & Dionesa Ebibi

Këtë të mërkurë nis në kryeqytetin shqiptar Panairi i Librit, i cili sivjet mbahet mes datave 14 - 18 nëntor. Në edicionin e 21-të të Panairit të Librit në Tiranë si çdo vit do të prezantohen edhe botuesit kosovarë, shkruan sot gazeta "Zëri".

 Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në këtë Panair do të prezantohen mbi njëzet botues nga Kosova. “Në Panairin e 21-të të Librit në Tiranë janë mbi njëzet botues nga Kosova të pranishëm. Shumica syresh në kuadër të stendës kolektive të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, si: Instituti i Albanologjisë, Instituti i Historisë, ‘Buzuku’, ‘Koha’, ‘Pema’, ‘Titanic’, ‘Dija’, ‘Magjia e Librit’, ‘Mendimi Pozitiv’, ‘Krek’. Në stenda më vete janë edhe botuesit: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ‘Faik Konica’, ‘Artini’, ‘Libri shkollor’ etj”, ka treguar ai. Zeneli e quan panairin si “festë të librit” dhe e konsideron si mundësi të mirë për t’i informuar lexuesit. Duke i kërkuar një krahasim midis Panairit të Librit në Prishtinë dhe atij në Tiranë, i pari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës ka thënë për “Zërin” se të dyja ngjarjet e përplotësojnë njëra-tjetrën, por Panairi i Prishtinës ka nevojë për një sallë të denjë ku do të zhvillohej.

“Panairi i Prishtinës dhe Panairi i Tiranës e kanë krijuar traditën, mbi njëzetvjeçare tashmë, të festës së librit. Duke qenë se e përplotësojnë njëra-tjetrën, kanë krijuar një ambient të mirë të punës te botuesit sepse shërbejnë si ngjarje ku kurorëzohet puna disamujore. Panairi i Tiranës, për dallim nga Panairi i Prishtinës, e ka ambientin e denjë për një organizim të tillë. Ne ende vuajmë për një sallë panairesh në Prishtinë. Sa i përket nivelit të organizimit dhe të suksesit, qëndrojmë në të njëjtin nivel”, ka theksuar Zeneli.

Shtëpia botuese “Artini” nga Prishtina është njëra nga ato që do të prezantohet në Tiranë. I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Artin Ahmeti, përfaqësues i kësaj shtëpie, ka deklaruar se si risi këtë vit ata në Tiranë dërgojnë një libër të Robert Elsies, si dhe “Ditarin e Tajar Zavalanit”.

“Në këndin tonë mund t’i gjeni librat e rinj, siç është ‘Ditari i Tajar Zavalanit’, figurë e rëndësishme e kohës së Zogut. Jemi duke e botuar një libër të Robert Elsies - ‘Luftërat ballkanike’ me dokumente të konsullatës britanike. Pastaj librin e aktorit Arben Kastrati, i cili është një roman dhe titullohet ‘I dashuri unë’ dhe disa tituj tjerë me orientim kah psikologjia”, ka thënë Ahmeti.

Tutje ai u shpreh se Panairi i Tiranës i afron botuesit e Kosovës me lexuesit në Shqipëri, si dhe që ky panair ofron kushte të kënaqshme.

Në anën tjetër shtëpia botuese “Faik Konica” dërgon kësaj radhe në Tiranë vëllimet 7 dhe 8 të librit “Kosova” nga Jusuf Buxhovi.

Për gazetën “Zëri” Arbër Rrahmani nga kjo shtëpi botuese kujtoi se Panairi i Librit në Tiranë është tregu më i madh i librit shqip dhe se është me interes për të gjithë botuesit kosovarë të marrin pjesë atje.

Image

Në anën tjetër edhe ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e ka konsideruar Panairin që do të hapet atje si festë të librit dhe të “zejtarëve” të tij. “Kjo javë nis nën shenjën e leximit dhe kulmon me panairin e 21-të të librit ‘Tirana 2018’ Ndërsa duam të rrisim vëmendjen ndaj librit uroj që Panairi të japë dëshirën për më shumë lexime sidomos fëmijëve. Panairi i Librit, i cili çelet të mërkurën në Tiranë, është festa e librit dhe e ‘zejtarëve’ të tij, aq sa edhe lexuesve - për të ndarë mendime, shqetësime, kënaqësi, drojën e përballjes me publikun e librit, për të këmbyer përvoja, për të qenë afër njëri-tjetrit përmes fjalës dhe mendimit”, ka shkruar Kumbaro në profilin e saj në rrjetin zyrtar “Facebook”.

Shumë studentë dhe dashamirë të librit i shohin panairet si mundësi e mirë për t’i plotësuar nevojat e tyre. Ermira Hasani është studente në Degën e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, që ka vendosur ta vizitojë Tiranën këto ditë për të marrë pjesë në Panairin e Librit, i cili do të mbahet atje.

“E praktikoj çdo vit blerjen e librave grumbull në Panairin e Librit në Prishtinë, si dhe në Tiranë. Më kushton më lirë sepse e di përafërsisht librat që më nevojiten gjatë vitit dhe përpiloj një listë të tyre. Besoj shumicën e kërkesave të mia edhe sivjet do t’i plotësojë Panairi i Tiranës. Nuk është që po kemi edhe shumë mundësi të tilla gjatë vitit. Meqë Tirana nuk është larg prej Prishtinës mendoj që duhet të shfrytëzohet si opsion edhe ky panair nga të gjithë ata që e duan librin”, tha Hasani për “Zërin”.

Në kuadër të këtij panairi do të ndahen çmimet e përvitshme  “Autori i Vitit 2018”, “Përkthyesi i Vitit 2018” dhe“Libri më i Mirë për Fëmijë 2018”. Siç bën të ditur Shtëpia Botuese e Shqipërisë, në konkurrim do të përfshihen të gjitha botimet pas Panairit të 20-të të Librit (dhjetor 2017 - nëntor 2018), si dhe në këtë konkurrim nuk do të pranohen ribotime dhe përfshihen të gjithë botuesit shqiptarë. Çmimet fituese do të përzgjidhen nga juria, e cila është e përbërë nga personalitete të letërsisë dhe të kulturës: Lili Sula - pedagoge në UT, Shefe e Departamentit të Letërsisë dhe njëherësh do të jetë kryetare e jurisë, Agim Baci - kritik letrar, Arta Marku - gazetare e kulturës, përkthyese, Ledia Dushi - përkthyese, Rudi Erebara - shkrimtar. Disa nga diskutimet më të rëndësishme të këtij edicioni janë planifikuar të jenë “Sfidat e leximit sot” dhe “Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”. Për t’i diskutuar këto tema në Tiranë do të mblidhen botues, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe të arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave, përkthyes, për të shkëmbyer mendime rreth promovimit të leximit dhe të edukimit të lexuesve, fëmijë e të rinj.Zëri