Benjamin Zephaniah refuzon të jetë 'Poeti laureat'

Kultura November 09, 2018 - 11:58

Poeti Benjamin Zephaniah (Sofonia) ka vendosur të rrijë jashtë konkurrimit për “Poetin laureat të Britanisë”, duke thënë se ai nuk ka absolutisht asnjë interes në këtë punë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Zephaniah, njëri nga poetët më të shquar të Mbretërisë së Bashkuar, ishte përmendur në medie si një kandidat i mundshëm për pozitën fituese në këtë garë, shkruan “The Guardian”. Megjithatë, vetë poeti thotë se nuk ka absolutisht asnjë interes të shpallet “Poeti laureat” i Britanisë së Madhe. “Unë nuk do të punoj për ta. Ata më shtypin, më mërzisin dhe nuk janë të denjë”, shkroi ai në “Twitter”. Zephaniah thotë se shkruan për t'u lidhur me njerëzit dhe kurrë nuk e ka ndier nevojën për të shkuar më lart nëpërmjet kishës, shtetit ose monarkisë për të arritur shpirt te populli. Zephanian nuk është shkrimtari i parë që nuk do të kandidojë për laureatët e vitit. Wendy Cope, e cila bëri  thirrje për heqjen e postit në vitin 2009, i tha gazetës “The Guardian” javën e kaluar se ajo nuk do të ishte në mesin e konkurrentëve këtë herë.

Poetja e njohur skoceze, Jackie Kay, gjithashtu ka shprehur dyshime për marrjen e rolit.  “Poeti laureat” është zyrtar i Britanisë së Madhe në Bibliotekën e Kongresit, që kërkon të rrisë ndërgjegjen kombëtare për një vlerësim më të madh të leximit dhe të shkrimit të poezisë. “Poeti laureat” është një pozicion nderi i emëruar nga monarku i Mbretërisë së Bashkuar me këshillën e kryeministrit. Roli nuk nënkupton ndonjë detyrë specifike, por ekziston një shpresë se mbajtësi do të shkruajë për raste të rëndësishme kombëtare. Origjina e këtij titulli daton nga viti 1616, kur një pension i ishte dhënë Ben Jonson, por mbajtësi i parë zyrtar i pozitës ishte John Dryden, i emëruar në vitin 1668 nga Charles II. Poezitë e shkruara nga Tennyson, “Odë për vdekjen e dukës së Wellingtonit” dhe “Ngarkesa e Brigadave të Lehta”, ishin veçanërisht të çmuara nga publiku viktorian.

Pesë poetë, Thomas Gray, Samuel Rogers, Walter Scott, Philip Larkin dhe Seamus Heaney, kanë refuzuar këtë titull. Mbajtësi i pozitës që nga viti 2018 është Carol Ann Duffy, i cili u emërua në maj 2009 në një afat të caktuar dhjetëvjeçar. Zëri