Pasioni për art dhe kushtet e mjerueshme në Fakultetin e Arteve

Kultura November 08, 2018 - 10:11

Dionesa Ebibi

Gjashtë profesorë të Artit punojnë në një sallë të ngushtë në objektin që dikur njihej si “Konaku”, kurse sot aty është vendosur Fakulteti i Artit në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Që nga themelimi ky fakultet është përballur me mungesën e një godine të veçantë, që i dedikohet atij, shkruan sot gazeta "Zëri".

Profesori i këtij fakulteti dhe piktori Xhevdet Pantina për gazetën “Zëri” tregon për kushtet në të cilat punohet në këtë fakultet. “Në sallën e stërmbushur me studentë ka mungesë jo vetëm të gjërave primare qysh edhe shihet, po ka mungesë të hapësirës. E më e rëndësishmja, ka mungesë të ajrit të pastër”, ka thënë profesori Pantina. Ai thekson se për dallim prej gjeneratave të tjera këtë vit ka mungesë edhe të studentëve në drejtimin e artit.

“Këtë vit është dashur t’i hapim dy konkurse për t’i plotësuar numrat e nevojshëm për të vazhduar të funksionojnë drejtimet si ai i Skulpturës e i Artit Konceptual”, ka bërë të ditur ai. Tutje profesori Pantina ka përmendur edhe faktin se të studiuarit art mund t’u kushtojnë studentëve më shumë materialisht sesa studimi i ndonjë drejtimi tjetër.

“Fakulteti i Artit është një nga drejtimet më të shtrenjta për nga ana materiale dhe është i vështirë për t’u zhvilluar. Për ta realizuar një pikturë, skulpturë grafike i nevojshëm është materiali i cili kushton. Kjo ndoshta mund të jetë njëra prej arsyeve pse studentët hezitojnë për ta studiuar këtë drejtim”, ka pohuar profesori. Megjithatë, Pantina konsideron se këto gjenerata të këtij fakulteti kanë rast të marrin mësim nga profesorët të cilët kanë zhvilluar një karrierë profesionale brenda dhe jashtë Kosovës.

Image

“Ajo çka është pozitive për studentët, njëkohësisht dhe fat i madh është se ata i përkasin gjeneratës së teknologjisë, ata mund të informohen, mund të përcjellin artin e kohës edhe pse ata nuk i kanë mundësitë ta përcjellin një ekspozitë, e cila ndodh jashtë tregut kosovar”, ka shtuar profesori Pantina.

Shqetësuese për të është edhe fakti që kurrikulat e reja po parashohin që të stagnohet me lëndët e artit figurativ nëpër shkolla fillore dhe në të mesme të ulëta. “Sugjerimi im është se duhet të krijohet një akademi e mirëfilltë pedagogjike, që të nxirren kuadro për mësues të cikleve të ndryshme. Artistë ne mund të dalim, por sa jemi pedagogë të mirëfilltë. Viteve të pasluftës, kur kam qenë student, kemi pasur lëndë psikologjinë, pedagogjinë e të tjera, kurse tash janë bërë lëndë dytësore ose zgjedhore”, ka theksuar profesori Pantina për gazetën “Zëri”. 

Breng për Pantinën është edhe trajtimi që u bëhet studentëve të diplomuar për art. “Mjerimi më i madh është se studiuesit e artit po na bëhen kamerierë. Nuk mund të mbijetojnë artistët në Kosovë. Faktori ekonomik ka shumë rëndësi për zhvillimin e këtij arti”, thotë profesori, i cili ka një sugjerim për organet përkatëse, Ministrinë e Kulturës, Muzeun Nacional, Galerinë Kombëtare dhe të gjitha institucionet të cilat kanë për qëllim kulturën dhe promovimin e saj. “Duhet të ketë një elitë politike, e cila ka njohuri për artin ose të paktën interesohet për problematikat e tilla. E jo vetëm kur ngrihet zëri, të kujtohet që ekzistojnë probleme. Duhet të bëhet një grup i studiuesve të mirëfilltë, të cilët punojnë në drejtimin e angazhimit të diplomuarve në art, t’i krijojnë hapësira pune në galeri, shkolla, muze dhe në të gjitha institucionet kulturore”, ka thënë Pantina.

Ai vetë ka organizuar që vitin e ardhshëm 6 studentë të tij, të cilët kanë përfunduar studimet, të vazhdojnë trajnimin në Gjermani në mesin e studiuesve të tjerë të artit. Me arsyen që kur të kthehen në Kosovë të performojnë me atë çka kanë mësuar dhe t’i shpërndajnë njohuritë me kolegët e tyre. “Me art dhe me kulturë mundemi ta dëshmojmë veten, të jemi referencë për botën”, ka potencuar Pantina.

Në anën tjetër Leoneta Abdyli, e cila ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Artit, për gazetën “Zëri” ka thënë se pavarësisht vështirësive që hasen ua rekomandon të gjithëve të cilët kanë talent ta studiojnë artin. “Po ia rekomandoj që ta studiojnë artin çdokujt që ka vullnet dhe talent. Arti është mënyra më e mirë për ta përcjellë një mesazh. Puna kthehet në kënaqësi, pa marrë parasysh sakrificat”, thotë ajo. Sa i përket stafit të profesorëve, se sa gjejnë përkrahje dhe sa punohet në Fakultetin e  Arteve të Universitetit të Prishtinës, Leoneta pohon se profesorët janë mjaft bashkëpunues, por studentët duhet të kërkojnë shumë që të marrin mësimet e dëshiruara.

Njësoj si profesori Pantina edhe ajo pohon se studimi i artit është i kushtueshëm për shkak të mjeteve që u nevojiten t’i blejnë. “Të gjitha mjetet e nevojshme për të pikturuar i kemi blerë vetë, shpenzimet janë të mëdha”, thotë Leoneta.

Fakulteti i Artit në Universitetin e Prishtinës u themelua më 31 korrik të vitit 1973. Në vitin akademik 1975/76 u formua Dega e Artit Muzikor, ndërsa nga viti akademik 1989/90 u themelua edhe Dega e Arteve Dramatike, fillimisht me Drejtimin e Aktrimit për të vazhduar në vitet në vijim me drejtimet e tjera.Zëri