Botuesit kosovarë prezantohen dinjitetshëm në Frankfurt

Kultura October 15, 2018 - 10:13

Ka përfunduar në Frankfurt të Gjermanisë edicioni i 70-të me radhë i Panairit të Librit në këtë qytet, që është panairi më i rëndësishëm i librit në botë. Edhe këtë vit botuesit kosovarë u prezantuan para lexuesve të gjithë botës në stendën e Kosovës atje. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë për gazetën “Zëri” se edhe këtë vit Kosova u prezantua dinjitetshëm në këtë panair, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Kosova, si gjithnjë, u prezantua dinjitetshëm në kryengjarjen kulturore, Panairin e Librit në Frankfurt. Për dallim prej viteve të kaluara, kësaj radhe patëm rreth dhjetë autorë shqiptarë që u prezantuan në kuadër të stendës së Kosovës. Stenda u vizitua mjaft shumë nga gazetarë e shkrimtarë ndërkombëtarë, botues e ekspertë të librit. U vizitua edhe nga qindra bashkatdhetarë që jetojnë në Gjermani. Stenda e Kosovës shërben tashmë si qendër kulturore e shqiptarëve që vizitojnë panairin dhe për ne është ndjenjë e jashtëzakonshme”, tregon Zeneli.

Të shtunën që lamë pas atje u prezantuan disa autorë nga Kosova. Përmes faqes zyrtare të Shoqatës së Botuesve të Kosovës është bërë e ditur se atje me lexuesit u takuan Çun Lajçi, Adem Gashi, Valentinë Saraçini, Abdullah Zeneli, Haxhi Kraki, Ismail Syla, Marigonë Kelmendi, Sadik Krasniqi, Seveme Fetiqi e autorë të tjerë.

“E shtuna në Frankfurt u shënua si ditë promovimesh të autorëve: Çun Lajçi, Adem Gashi, Valentinë Saraçini, Abdullah Zeneli, Haxhi Kraki, Ismail Syla, Marigonë Kelmendi, Sadik Krasniqi, Seveme Fetiqi, e autorë të tjerë. Duke qenë se e shtuna dhe e diela janë ditë të hapura për publikun e gjerë në panair, me prezencën e tyre na nderuan qindra bashkatdhetarë gjatë gjithë ditës. E veçantë ishte vizita e ministrit të Kulturës së Republikës së Maqedonisë, z. Asaf Ademi”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Shoqata e Botuesve të Kosovës, e ndihmuar nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, për të 15-in vit me radhë është pjesë e Panairit të Librit në Frankfurt.

Në kuadër të stendës kolektive të Kosovës u prezantuan 30 shtëpi botuese: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik e i Historisë, “Buzuku”, “Pema”, “Faik Konica”, “Koha”, “Artini”, “Dija”, “Dukagjini”, “Albas”, “Titanik” etj.

Panairi i Librit i Frankfurtit është panairi më i rëndësishëm i librit në botë dhe një nga ngjarjet kryesore kulturore e sociale mbarëbotërore. Këtë vit i ftuar nderi i panairit ishte shteti i Gjeorgjisë. Në të morën  pjesë më shumë se 7,300 ekspozues prej më shumë se 100 shteteve. Zëri