'Nëntori i ftohtë', edhe para publikut kosovar

Kultura October 15, 2018 - 10:01
Image

Pas një rrugëtimi në dy festivale ndërkombëtare filmi “Nëntori i ftohtë” (Cold November), i regjisorit Ismet Sijarina, do të shfaqet edhe para publikut kosovar. Muajin e ardhshëm “Nëntori i ftoftë” do të jetë në ekranet e kinemave në Prishtinë e në Prizren. Ekipi i filmit ka bërë të ditur se që nga 16 nëntori, kur do të shfaqet filmi në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë, do t’i presë përshtypjet e publikut të Kosovës. Filmi gjithashtu do të jepet edhe në “DokuKino” në Prizren, nga data 17.

“Premiera e filmit ‘Nëntor i ftohtë’/‘Cold November’ do të ndodhë më 16 nëntor 2018, në ‘Cineplexx’, në ‘Albi Mall’, dhe në sallat e fantastike të ‘Cineplexx’-it do të qëndrojë deri në dy javë. Premiera e dytë është në qytetin e Prizrenit në ‘DokuKino’, më datë 17 nëntor dhe po ashtu do të qëndrojë në repertor sipas kërkesës së publikut”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të filmit.

Përveç prezantimit para publikut shqipfolës, filmi “Nëntori i ftoftë” po e vazhdon rrugëtimin ndërkombëtar. Bëhet e ditur se ky film së shpejti do ta ketë premierën edhe në Turqi. “Stacioni i radhës i filmit tonë do të jetë premiera në Stamboll, në Turqi, në Bosphorus Film Festival, në konkurrencë ndërkombëtare”, njofton kështu ekipi i filmit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rikujtojmë se disa ditë më parë filmi “Nëntori i ftohtë” triumfoi në Festivalin e Filmit të Cyrihut, duke rrëmbyer çmimin e audiencës. Në premierën e këtij filmi në Zvicër ishin regjisori Ismet Sijarina dhe producenti e njëherësh aktori Fatmir Spahiu. “Përzgjedhja në konkurrencë zyrtare është verifikim për vlerën artistike të filmit, por shpërblimi i publikut është riverifikim se audienca e gjerë bashkëndien me rrëfimin tonë. Ndihem i nderuar dhe i falënderoj të gjithë ata që e pëlqyen dhe e votuan filmin tonë. Përjetësisht mirënjohës!”, u shpreh regjisori Sijarina.

Filmi “Nëntori i ftohtë” u shfaq në kinematë e Cyrihut gjatë muajit tetor. Premiera në Cyrih u dha më 1 tetor në kinemanë “Arthouse Piccadilly”, në Cyrih, dhe ka vazhduar në “Riffraff 1”, më 2 tetor. Në kinemanë “Corso 2” filmi u shfaq më 5 tetor dhe më 7 tetor në “Filmpodium”.

Image

Filmi i Sijarinës premierën botërore e pati në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit. Ky film u bë filmi i parë nga Kosova që mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë “A”, ku ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në seksionin e regjisorëve të rinj.

Filmi flet për Fadilin (36), një arkivist në ndërmarrje shtetërore, i cili i gjendur në një situatë të vështirë duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm. Rolin e tij e sjell aktori Kushtrim Hoxha. Përveç tij, në kastën e vet filmi i Sijarinës ka mbledhur njëfarë ajke të aktorëve kosovarë. Adriana Matoshi, Majlinda Kosumoviç, Fatmir Spahiu, Bislim Mucaj e Lum Veseli paraqiten te “Njeriu i dosjeve” me rolet e tyre. Në anën tjetër, regjisori ka sjellë edhe aktorët e famshëm nga Bosnja, Emir Haxhihafizbegoviç, fitues i “Luanit të Artë” e gjithashtu edhe aktoren Gordana Boban. E veçanta e këtij filmi është edhe përfshirja e muzikës, për të cilën është përkujdesur Petrit Çarkaxhiu nga rok-grupi “Jericho” dhe këngët e kënduara pikërisht nga Kushtrim  janë xhiruar live në set.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus”, “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës e Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Skenari i filmit është shkruar nga: Arian Krasniqi e Ismet Sijarina. Drejtor fotografie Sevdije Kastrati, montazher Vladimir Pavlovski, muzika “Jericho”, producentë Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, bashkëproducentë Paskal Semini, Valon Bajgora, regjia Ismet Sijarina. Zëri