Nga 'delja e zezë' deri te 'kandidati për ‘Nobel’'

Kultura October 13, 2018 - 10:13

Romanet e tij surreale lexohen nga miliona njerëz në mbarë botën, por romancieri japonez Haruki Murakami siç duket nuk është shumë i kënaqur nga fama që i japin librat e tij. Në një intervistë dhënë së fundi për mediumin prestigjioz “The Guardian” Murakami flet për ndjesinë kur njerëzit e ndalin në rrugë dhe e pyesin se a është ai shkrimtari i famshëm japonez që në librat e tij flet për kaosin, shrkuan sot Gazeta "Zëri". 

Shkrimtari 69-vjeçar i ka thënë “The Guardian” se ishte shumë i famshëm në vitet 1990 në Rusi, në kohën kur Bashkimi Sovjetik kishte probleme. Murakami ka thënë gjithashtu se njësoj i famshëm ishte edhe në Gjermani në kohën kur muri i Berlinit ra. Sipas tij, në periudha kur njerëzit kanë konfuzione e duan letërsinë të cilën ai e kultivon.

“Në qoftë se shkrimtari ka të drejtë Amerika e Donald Trumpit dhe Britania pas Brexitit duhet të jenë tregje të pëlleshme për romanin e tij të 14-të, që titullohet ‘Killing Commendatore’, një përmbledhje 674-faqëshe të pazakonta të Murakamit, e përkthyer nga Philip Gabriel dhe Ted Goossen dhe e botuar në Britani të Madhe më 9 tetor”, theksohet shkrimi i “The Guardian”.

Ky medium zbulon se romani i ri i Murakamit flet për një piktor të braktisur rishtazi nga gruaja, që vendos të arratiset nga çdo gjë në malet e Japonisë.  Në këtë shkrim letërsia që Haruki Murakami kultivon konsiderohet si letërsi që ushtron një efekt qetësues ndaj lexuesit.

Duke folur për lexuesit e vet në mbarë globin, shkrimtari Murakami thotë se e ka një vend të veçantë ku hyjnë vetëm ai dhe lexuesi i librave të tij. “Lexuesi dhe unë kemi një takim të fshehtë nën tokë, një vend sekret dhe në atë vend ndoshta është absolutisht e drejtë që peshku të bjerë nga qielli. Është vendi i takimit që ka rëndësi, pa analizuar simbolizmin ose diçka të tillë. Do ta lë atë tek intelektualët”, shprehet ai.

Për “The Guardian” Murakami flet edhe rreth faktit se si ishte pritur në Japoni në fillim të karrierës së tij letrare.

“Unë isha një dele e zezë në botën letrare japoneze”, kujton Murakami, pjesërisht për shkak të referencave kulturore amerikane librat e tij u konsideruan si “shumë të ngjashme me Amerikën”. Këto ditë, për dallim nga atëherë, ai diskutohet rregullisht si kandidat kryesor për çmimin “Nobel për Letërsi” nga ky shtet, megjithëse ai e tërhoqi emrin e tij nga “Nobeli alternativ” i krijuar sivjet në përgjigje të shtyrjes së çmimit të këtij viti, duke thënë se preferonte të përqendrohej në shkrim, shkruan më tutje "Zëri". 

“Si të lindur pas luftës ne u rritëm në kulturën amerikane. Dëgjova muzikë xhaz dhe pop amerikan, duke shikuar shfaqje televizive amerikane. Ishte një dritare në një botë tjetër. Por gjithsesi, nga edhe kam marrë stilin tim, që nuk është stil japonez ose amerikan, është thjesht stili im”, thekson shkrimtari.

Në këtë intervistë Murakami nuk ka hezituar të flasë edhe për mënyrën sesi shkruan. Shkrimtari ka treguar se zgjohet në orën 4:00 të mëngjesit dhe shkruan rreth pesë ose gjashtë orë në ditë. Ai i ka vënë vetes kusht të finalizojë të paktën 10 faqe libri në ditë.

Ata që e kanë përcjellë karrierën e shkrimtarit Haruki Murakami e dinë që ai botoi shumë vonë librin e tij të parë. Ishte 29-vjeçar kur lexuesi mori në dorë librin e parë të botuar të Murakamit. Deri atëherë ai ishte pronar i një klubi të muzikës xhaz dhe bënte një jetë krejt tjetër nga kjo që ka sot.

Tashmë Murakami cilësohet si njëri ndër 100 njerëzit që kanë më së shumti ndikim në botë dhe librat e tij janë të përkthyera në më shumë se 50 gjuhë të botës. Kritika e cilëson Murakamin ndër mjeshtërit e rrëfimit, autor që tronditi letërsinë japoneze dhe për shfaqjen e saj në botën letrare përmes së ashtuquajturit “thjeshtësim i realitetit”, për çka në krye të debutimit të tij u keqkuptua nga kritika dhe autorët e tjerë, të cilët sot e kanë idhullin e tyre letrar.

Pavarësisht kanoneve, diskrecionit, tabuve që shpesh e kornizojnë letërsinë japoneze, Haruki Murakami e çliroi prozën e tij, duke e kthyer atë në njërën ndër më të lexuarat në botë. /ZERI