Së shpejti një debat publik për objektin e ish-'Gërmisë'

Kultura October 09, 2018 - 09:57

Komuniteti kulturor i Kosovës dhe qytetarët e Prishtinës janë përfshirë në një debat për rrënimin ose jo të objektit ku dikur funksiononte shtëpia e mallrave “Gërmia”. Komuna e Prishtinës po e sheh si opsion rrënimin e këtij objekti dhe ndërtimin aty të sallës koncertale, të cilën artistët insistojnë ta kenë tash e disa vjet. Ky projekt pritet të financohet nga Komisioni Evropian, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përderisa ka shumë reagime pro dhe kundër kësaj ideje, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se së shpejti do të organizohet një debat publik për këtë problem. Paraprakisht kryetari Ahmeti ka bërë një deklarim rreth kësaj çështjeje. “Së pari, sqaroj sërish se bëhet fjalë për sallën koncertale e jo për Pallatin e Operës dhe Baletit. E dyta është institucion shtetëror, e para është infrastrukturë artistike e Komunës.

Komisioni Evropian ka shfaqur interesim për të investuar 15.4 milionë euro me kushtin që salla të jetë në një lokacion qendror. Nuk ka insistuar në ndonjë vend të saktësuar, por ka shprehur kundërshtimin për periferi dhe për lokacion që do të ishte afër stadiumit. Vendimi nuk është marrë ende! Por, kemi shumë pak kohë për ta marrë vendimin përfundimtar. Ne si Komunë nuk i kemi 15 milionë euro për sallë. Bashkë me Shoqatën e Arkitektëve po bëhen gati kriteret për ta hapur konkursin ndërkombëtar për sallën koncertale. Këtë pjesë e financojmë ne e pastaj fituesi do ta bëjë projektin zbatues me Komisionin Evropian (në qoftë se aprovohet financimi). Ndërtesa ‘Gërmia’ është njëra nga lokacionet e mundshme. Siç dihet, kam shprehur mendimin tim për këtë mundësi në cilësinë e kryetarit të Komunës”, ka theksuar Ahmeti. Më tutje kryetari ka përmendur faktin se Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk e ka përfshirë “Gërminë” në regjistrin e objekteve të mbrojtura. “Nuk jam urbanist dhe as arkitekt, por nga të gjitha argumentet që kam dëgjuar deri tani nga të tjerët lokacioni ‘Gërmia’ më duket ideal. Dilema e vetme dominuese është mbi vlerën e ndërtesës. Por, ta kemi të qartë se nuk ka asnjë vendim zyrtar deri në këtë moment! Edhe ashtu vendimi nuk merret vetëm nga një institucion. Duke qenë ithtar i madh i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe i kujtesës sonë kolektive, po nënvizoj më poshtë disa nga qëndrimet e mia lidhur me këtë temë. Fatkeqësisht tashmë është rrënuar ose zhdukur trashëgimia kulturore e disa ndërtesave, edhe atë nganjëherë pa ndonjë zhurmë të madhe nga komuniteti. Fatmirësisht me ndërhyrjet e Komunës së Prishtinës kemi arritur ta mbrojmë Bankën Qendrore të Kosovës, Mensën në Qendrën Studentore dhe jo pak objekte të tjera të trashëgimisë sonë kulturore në Komunën e Prishtinës. Edhe ‘Trekëndëshi’ është ruajtur, edhe pse pa ndihmën e disa zërave të komunitetit që tash po e kundërshtojnë ‘Gërminë’ si lokacion. Në qoftë se e mbrojmë të vjetrën vetëm sepse është e vjetër, atëherë duhet ta bëjmë në mënyrë konsistente. Por, në qoftë se përzgjedhim vetëm disa ndërtesa të caktuara, atëherë duhet bazuar në argumente racionale dhe profesionale e jo në akuza dhe shpifje të ndërsjella. Duke e marrë parasysh se Pallati i Rinisë nuk është opsion, sikurse edhe periferia, atëherë duhet të japim ndonjë propozim alternativ për lokacionin. Përndryshe, nuk ka financim e rrjedhimisht as sallë. Sigurisht se kjo nuk është kërcënim ose shantazhim, por është gjendje reale e situatës”, ka shkruar ndër të tjera ai.

I pari i Prishtinës ka bërë thirrje që për këtë çështje të diskutohet në mënyrë të qytetëruar publikisht në një debat publik që institucioni të cilin ai drejton planifikon ta organizojë së shpejti në kino “Armata” në Prishtinë.

Rikujtojmë se kundër rrënimit të këtij objekti po nënshkruhet edhe një peticion, i nisur nga organizata për mbrojtjen, promovimin dhe konservimin e lëvizjes moderne “DoCoMoMo Kosova”. Kjo organizatë ka iniciuar një peticion online, përmes së cilit kërkon që ky objekt të mos demolohet për t’u ndërtuar një i ri.

“DoCoMoMo Kosova” zotohet se pasi nënshkrimet të mblidhen peticioni do t’i dërgohet Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës, si dhe kryetarit të saj Shpend Ahmetit. “Ish-qendra tregtare ‘Gërmia’ është njëri nga objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj. Sot ky objekt është në rrezik të demolimit me pretekstin e hapjes së rrugës për ndërtimin e sallës koncertale. Me këtë peticion dëshirojmë ta nxisim Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që sa më parë ta mbrojë ligjërisht këtë objekt dhe kështu ta parandalojë demolimin e tij. Peticioni do t’i dërgohet Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës, si dhe kryetarit të saj”, thuhet në tekstin e këtij peticioni. Zëri