12 vjet nga vdekja e Muharrem Qenës

Kultura September 26, 2018 - 10:40

Shtatori i këtij viti shënon 12-vjetorin e vdekjes së artistit të mirënjohur mitrovicas, Muharrem Qena. Rikujtojmë se Muharrem Qena vdiq më 25 shtator të vitit 2006, në Prishtinë, duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe më shumë se 200 shfaqje teatrale. Kënga “Kaçurrelja” është kënduar për herë të parë nga Muharrem Qena dhe më vonë, gjatë viteve të ’80-ta e deri më sot, janë krijuar versione të tjera të saj, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në këtë përvjetor përmes një shkrimi në profilin e saj në rrjetin social “Facebook” Muharrem Qenën e ka kujtuar e bija, Antigona. “Momenti shkrihet në kujtime mallëngjyese në një ditë si kjo. Një jetë e pasur nuk shuhet, vetëm se admirohet, por ... sa herë lagjes kaloj nuk mundem pa u pikëllu...”, ka shkruar Antigona në kujtim të të atit, duke aluduar në njërën nga këngët më të famshme të tij.

Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930, në një familje që kontribuoi shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin në krijuesin më të mirënjohur kosovar. Me “Ervehenë” e autorit Ahmet Qirezi 1932), e cila mori 5 shpërblime kryesore në Festivalin e Steries - Novi Sad (1967), ngriti skenën teatrore të Kosovës në piedestal. Regjisor i shumë dramave e filmave dokumentarë e televizivë, Muharremi ishte nismëtar i punës së teatrove në Prizren, në Gjakovë dhe në Gjilan. Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan dhe u falën kënaqësi shumë brezave. Ka lënë pas vetes tri vajza dhe një djalë.

Muharrem Qena vdiq më 24 shtator 2006, në Prishtinë, duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe më shumë se 200 shfaqje teatrale. Zëri