'Shota' nderon Skënderbeun me koreodramën 'Kumt'

Kultura September 26, 2018 - 10:36

 

Image

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” ngjitet sonte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës për të prezantuar një koreodramë të veçantë. Bëhet fjalë për koreodramën “Kumt”, që vihet në skenë për ndër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Për përgatitjen e kësaj koreodrame për të punuar me ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” nga Shqipëria ka ardhur koreografi Gjergj Prevazi, shkruan zeri.info.

Kësaj premiere i parapriu një konferencë për medie, që u mbajt gjatë ditës së martë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Aty Shefqet Gjocaj, drejtor i ansamblit “Shota”, foli për rëndësinë e prezantimit të kësaj koreodrame në nder të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. “Është një koreodramë që i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Organizohet në kuadër të ‘Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut’ dhe është përgatitur nga ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve ‘Shota’, trupa artistike e udhëhequr nga Ylber Asllanaj, autori i shfaqjes, koreograf dhe regjisor është Gjergj Prevazi, autor i muzikës Valton Beqiri, ndërsa rolet kryesore të Skënderbeut dhe Donikës i luajnë Besnik Graiçevci dhe Artiola Shala. Ishte ideja e këshillit artistik që këtë shfaqje ta përgatiste profesor Prevazi. Me gjithë vështirësitë besoj ia kemi arritur qëllimit”, theksoi ndër të tjera Gjocaj.

Sipas Gjocajt, kjo koreodramë është si një perlë e re koreografike për “Shotën”. “Besoj që është format i ri, është punë e lodhshme, por audienca, të gjithë kanë çka të shohin. Kjo punë e promovon dhe e avancon gjithë trupën e Ansamblit dhe në gjerdanin e saj shtohet një perlë koreografike me të gjitha elementet e një produksioni teatror”, theksoi ai.

Në anën tjetër, autori Gjergj Prevazi tregoi se propozimi për përgatitjen e kësaj koreodrame i ka ardhur para 9 muajsh dhe e ka pranuar me kënaqësi. “Natyrisht, për çdo autor jam i bindur që është sfidë e madhe të merresh me heroin e një kombi, për më tepër heroin e kombit tonë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Për të arritur deri te një shfaqje e tillë jam menduar gjatë dhe arrita në përfundimin, sepse kam gjetur një formë skenike që do t’i përshtatet dhe një qasje ndryshe nga ajo që jemi mësuar ne zakonisht t’i trajtojmë figurat tona heroike”, tregoi ai.

Më tutje Prevazi u zotua se koreodrama që e ka përgatitur me ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” nga Kosova ka një koncept më të gjerë se shfaqjet të cilat jemi mësuar t’i shohim. “Shfaqja ka shumë komponentë, është kompozuar muzikë e re, është ndërhyrë në kostume, ku ka trajtuar me mjete të lehta dhe duke modernizuar pamjet e veshjeve kombëtare. Sfida më e madhe ka qenë e vet trupës së ansamblit ‘Shota’. Ju nesër nuk do të shihni një shfaqje të formatit të përhershëm, por është koncept më i gjerë, me një qasje më teatrale”, ka përfunduar ai.

Edhe Ylber Asllani, udhëheqës artistik i trupës, është shprehur se kjo është një shfaqje që nuk duhet humbur, duke falënderuar të gjitha ata që kanë bërë një punë të palodhshme. Kurse aktorët kryesorë të shfaqjes janë shprehur se janë të lumtur që kanë mundësinë të performojnë në këto dy personazhe. “Fjalët tona do të jenë nesër në skenë”, ka thënë Besnik Graiçevci.

Premiera e koreodramës “Kumt” është vetëm njëra nga ngjarjet kulturo-artistike që janë organizuar që nga janari i këtij viti në kuadër të agjendës së përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë për “Vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut”. Rikujtojmë se 2018-a u shpall “Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut” me një vendim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Zëri