Erenestina Halili, fituese e 'Orës së madhe letrare'

Kultura September 24, 2018 - 10:15

 

 

Në Stubëll të Vitisë, për të 29-n herë me radhë u organizua manifestimi tradicional kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”. Këtë vit ky manifestim dhe tribuna shkencore e tij, që u mbajt më 22 shtator, i është  kushtuar vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot-Skënderbeut, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në manifestimin kulturor të “Domi Mikelit”, në Stubëll të Vitisë, para një mase mjaft të madhe të artdashësve të fjalës së shkruar u dhanë çmimet për poezitë më të mira të “ Orës së madhe letrare”. Me këtë rast në “Orën e madhe letrare” u lexuan mbi 24 krijues. Pati artistë të fjalës së shkruar nga Tirana, nga Italia, nga Presheva, nga Kamenica, nga Prishtina, nga Vushtrria, nga Ferizaj, nga Gjilani, nga Vitia e vende të tjera shqipfolëse.

Kësaj here fituese e këtij manifestimi të “Orës së madhe letrare” për poezi dhe e çmimit “Agim Ramadani” u shpall poetja dhe studiuesja Erenstina Halili nga Tirana. Halili është fituese e vendit të parë në këtë edicion të 29-të.

Para të pranishmëve Erenestina Halili tregoi se kjo është hera e parë që merr pjesë në këtë takim letrar dhe në Stubëll të Vitisë. Ajo u shpreh e befasuar me organizimin. “Jam edhe e befasuar, sepse shikoj njerëz jo vetëm që jetojnë nga arti, se e duan artin, s’ka dyshim, por mbi të gjitha janë pjesë e një historie të gjatë të Kosovës, siç është shkolla e parë shqipe në Stubëll, që është një pjesë e një historie shpirtërore, ku përmes Dom Mikelit dhe një pjesë e një aktualiteti evropian, përmes njerëzve, konkurseve dhe aktiviteteve tjera të shkencës ose të artit, njerëzit njihen dhe zhvillojnë identitetin e tyre. Unë jetoj e punoj në Universitetin e Tiranës. Poezia ime është një inmemorio kushtuar Dom Mikelit, që është engjëlli ynë i shenjtë. Engjëlli është nënë, babë, është mbi të gjitha, atdhe”, theksoi ndër të tjera Halili.

Në anën tjetër fituesit e vendeve të dyta e të treta që u shpallën në Stubëll janë Sabit Rrustemi e Anton Guraqa (vendin e dytë), ndërsa vendet e treta i fituan poetet Qibrije Demiri dhe Enfeleva Tafa nga Shqipëria.

Në fund të këtij manifestimi kulturor juria në fjalë i shpërbleu dy veprimtarë të librit me nga një mirënjohje Prend Buzhalën dhe Mendi Menxhiqin. Me këtë rast Prend Buzhala u shpreh i nderuar për këtë mirënjohje, sepse siç tha ai, vepra e tij përcjell mesazhe dhe referencë të fortë për paqen dhe për shkencën, në përgjithësi. Këtë vit në manifestimin “Takimet e Dom Mikelit”, si dhe në akademinë shkencore të këtij edicioni në qendër ishte figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 550-vjetorin e kalimit në amshim. Aty u prezantuan kumtesat e studiuesve kompetentë, si të: Prof. dr. Jahja Drançollit, Dr. Antonio Belushit, Prof. dr. Lucia Nadinit (Itali), Dr. Muzafer Bislimit (Shkup), Dr. Mark Palnikaj (Tiranë), Prof. dr. Erenestina Halili – Gjergjit (Tiranë). Në këtë përvjetor u bë dhe përurimi i bustit të Skënderbeut, vepër e prof. Agron Bytyqit.

Në kuadër të akademisë, me rastin e 170-vjetorit të kthimit në atdhe të martirëve të Malit të Zi të Shkupit, të internuar të Muhaliq të Turqisë (1846-1848), erdhi historia e tyre, sa tronditëse, po aq madhështore, përmes kumtesës së studiueses së mirënjohur franceze, Dr, Odette Marquet. Në fakt, organizatori bëri botimin e një vepre të veçantë të kësaj studiueseje për historinë në fjalë, me titull: “Persekutimi i shqiptarëve të Malit të Zi të Shkupit (Stubëll, Binçë, Vërnakollë dhe Terziaj) në shekullin XIX sipas burimeve franceze”. Janë një sërë dokumentesh në gjuhën frënge (të përkthyera edhe në gjuhën shqipe), që prezantohen në këtë libër. Autorja së shpejti del dhe me botimin e një vepre tjetër në gjuhën frënge, për këtë dramë të historisë së popullit tonë. Zëri