Bukuria e një bote paralele

Kultura September 18, 2018 - 09:48
Lexoni më shumë detaje

(Rreth librit me tregime të Dritë Ruhanit, Dr. Buzëqeshja, SAS, Prishtinë, 2018)

Krijimet e Dritë Ruhanit janë rrëfime të bukura poetike, me personazhe të rralla e situata jetike. Dritën nuk e bën të veçantë vetëm tematika e rrallë e tregimeve të saj - sfidat e jetës së qenve, të veçantë e bën qasja e saj ndaj objektit krijues dhe ndërtimit të personazheve – karaktereve. I ndërton pikërisht si karaktere përmes personifikimit popullor, sepse autorja zbulon thellë shpirtin e këtyre qenieve, që shprehin shumë me shikimin e tyre ose qoftë me lëvizjen e bishtit të tyre.

Prozatorja për fëmijë Dritë Ruhani ka lexuar për këto qenie dhe u ka ndenjur afër për t’i njohur si njihet një fëmijë, një nënë e një mësues i mirë. Ndaj aq bukur ndërton analogjinë, ndërton botën paralele të tyre me botën njerëzore. 

“Dëshirat e qenushes Koko”, “Posta pa adresë”, “Shkolla e qenve”, “Dua shtëpi” e “Mjaft më” janë 5 librat paraprakë të autores, të botuar  vetëm nga viti 2016 deri më sot, kur boton librin e gjashtë.

Këto vepra  për fëmijë kanë ndërruar edhe tipologjinë e prozës shqipe për fëmijë, kanë shtuar zhanrin e librit për kafshët, që na ka munguar deri më tani. Librat sugjerojnë e flasin me titujt e tyre, flasin me semantikën e emërtimit dhe ndjellin lexuesin. Gjashtë libra për një dashuri, për një dashuri  e cila deri vonë ishte në margjina e  tani grish fëmijët për lexim. Jeta e qenve në ambientin tonë dhe perceptimi i tyre,  jeta  dramatike dhe shumë e bukur e optimiste e tyre e bën autoren njohëse të rrallë të botës së fëmijëve.

Raportet dhe bisedat e tyre, nëpër situata të ndërlikuara e sfiduese e çastet e lumtura e dëshmojnë këtë kujdes e ndjeshmëri të autores ndaj qenieve të pafajshme, por më shumë ndaj lexuesit. Në leximin e parë të duken vepra ekskluzivisht për botën e qenve, por leximi semantik të bën të shohësh se spektri i tyre mbërrin deri te intenca për ruajtjen e njeriut, fëmijës së këtij shekulli nga dehumanizimi, nga zhveshja prej emocioneve, për hir të vetes sonë dhe për hir të ruajtjes së ekuilibrit tonë me natyrën.

Deri më tani në letërsinë shqipe nuk janë shënuar vepra serike - 6, që kanë këso tematikë. Ka tregime, poezi, e libra të ilustruar për raportin e fëmijës me kafshët, por jo libra që ekskluzivisht personazhe kanë kafshët dhe botën e tyre. Këto libra përmes imagjinatës së autores e strukturës rrëfimore, e cila bëhet përmes perspektivës së vet kafshëve, bëjnë instalimin e një vetëdije dhe shpalosin një raport të natyrshëm të njeriut me qentë si pjesë të natyrës.

Libri është në funksion të krijimit të një ndjesie, edukate dhe kulture për botën që na rrethon, për kafshët dhe bukurinë shpirtërore të tyre, të cilën autorja e paraqet me një objektivitet e besueshmëri, që bën lexuesin të bëhet edhe më shumë dashamirës i kafshëve, e posaçërisht i qenve.

Nëse për  një çast largohet e dhëna se “Dr. Buzëqeshja” e autores Dritë Ruhani, është libër fiksional dhe zhvishet libri nga loja e bukur e shkrimit, libri del një doracak shumë  i nevojshëm për informacionin e fëmijëve për një kafshë shtëpiake. Kjo falë dijes dhe njohurive të autores për ta, për procesin e rritjes së tyre, psikologjisë së tyre, sëmundjeve të ndryshme, që janë identike me të botës njerëzore dhe ato njohuri fëmijëve mund t’ju shërbejnë edhe për familjet e tyre e jetën e tyre.

Por, libri është një projeksion i bukur artistik, ku përmes lojës dhe organizmit imagjinativ të jetës së qenve fëmijët  zhvillojnë imagjinatën, mësojnë ndërtimin e raporteve të qenve në mes vete, qofshin qen race e qofshin qen të udhëve. Sipas psikologëve, fëmijët e pamundshëm e ata me hipëraktivitet kanë nevojë të madhe për posedimin e ndonjë kafshe shtëpiake, sidomos të qenve.

Krijuesja me intuitë sugjeron një gjë të tillë, posedim të një qeni në familje, të cilit Iiqaset përmes idesë  dominuese në këtë libër, për hir të kultivimit të dashurisë së pakusht për tjetrin. Kafshët në këto tregime veprojnë bujarisht, ato nuk janë të mira pse do të shkruhet e do t’ju bëhet reklamë e popullaritet, por pse janë të tilla, solidare e të kujdesshme me veten dhe me të tjerët. Krijuesit kanë shfrytëzuar shpesh në  imagjinatën e tyre këto kafshë, por autorja jonë Dritë Ruhani i bën të barabartë me njeriun, me fëmijët, i personifikon dhe nuk i përdorë për dekor, si mund t i hasim në filma, lodra ose edhe në pizhame fëmijësh. Këto tregime, që realisht duke qenë se kanë një homogjinitet tematik e artistik përbën një roman janë brenda kritereve të letërsisë për fëmijë, kanë shtresën njohëse, si informacion për veçoritë psikologjike e fiziologjike të tyre, kanë dimensionin artistik-përshkrimet e bukura, ndërtimin e intrigës dhe përshkrimet me një gjuhë të bukur poetike e kanë kriterin argëtues, duke qenë se autorja fut edhe elemente humori, si dhe këto tregime ruajnë e krijojnë interefenca pedagogjike në edukimin dhe krijimin e personalitetit moral të fëmijës.

Preokupimet e qenve e qenushëve, janë ato të fëmijëve, ata  bëjnë lojna, flenë me çorape, ata i urojnë njëri-tjetrit shërim të shpejtë, i inkurajojnë njëri-tjetrin që - në çastet me dhimbje duhet të mendosh të mirën! – duke i mësuar të menduarit optimist dhe pozitiv, e duan shtëpinë, ata pastrojnë flokët e thonjtë dhe qenushët janë plot me elegancë, por nuk hanë bukë me orar e nëna përmes të lehurave i sinjalizon, pastaj janë të lazdruar e çapkënë, ata shkojnë edhe në shkollë, bëjnë  vizita te veterineri, shkojnë në sallonin e bukurisë, luajnë me kukulla, përdhelen, caktojnë termin tek mjeku, komuniteti i qenve shpesh qëllon pa para, krijojnë shtatzënësi fiktive e situata shumë të nduarduarta, që i pasurojnë tregimet dhe i bëjnë vërtet të bukura, si:  Këta jemi ne!,  Jam bërë nënë..... Ledhatimi, Rriqrat, Kur veshi s’dëgjon... Ikni, e kam zgjebën! Gërhisja, Më sterilizo! Lutja e një nëne etj.

Librin e bëjnë edhe më atraktiv fotografitë që ilustrojnë tregimet.