Femrat sipas Saranda Xhemajlit

Kultura September 18, 2018 - 08:33
Lexoni më shumë detaje
Image

Mbrëmjen e së hënës në ambientet e galerisë "Monet" në Prishtinë u hap ekspozita e parë personale e artistes Saranda e Xhemajli, e cila prezantoi një cikël me 11 piktura.

Figura e femrës ka tërhequr vëmendjen e piktores Xhemajli, e cila siç tregoi për gazetën "Zëri" ka zgjedhur t'i pikturojë disa nga femrat që e rrethojnë atë.

"Kam vendosur t'i pikturojë disa nga njerëzit e mi të afërt. Në këto piktura janë mbesat e mia dhe shoqet e mia", tregoi Xhemajli.

Ajo tutje theksoi se ka zgjedhur të punojë me ngjyrat kafe, ato që njihen si të tokës, sepse është ndier më e afërt me to dhe i sheh si më të pranueshme.

Në këto piktura spikaten detaje si trëndafila dhe kurora, që karakterizojnë figurën femërore megjithatë përkundër kësaj pikturat e Xhemajlit reflektojnë edhe forcën e grave.

Sipas kuratorit Genc Reznici, me pikturat e saj Saranda Xhemajli i tejkalon paragjykimet duke i thyer tabutë dhe përmes paraqitjes së botës femërore ajo mundohet të paraqes kuptimin utopik të jetës së pashpresë, frikën nga ardhmëria, konfuzionin e botës njerëzore pra metafizikën e lebetisë, ku shpresa dhe gëzimi marrin kuptimin e njëjtë, ku harmonia dhe çiltërsia, e bukura dhe e brishta identifikohen me njëra tjetrën.

Me të finalizuar ekspozitën e parë Xhemajli ka nisur të mirret me punime të tjera.

Ajo tregoi për "Zërin" se është fokusuar të punojë disa portrete me dimensione më të mëdha si dhe kah nudizmi.

Ekspozita e Saranda Xhemajlit do të qëndrojë e hapur në galerinë "Monet" për dy javë, deri më 30 shtator.

Image

Image

Image

Image