Murakami tërhiqet nga gara për çmimin alternativ 'Nobel'

Kultura September 17, 2018 - 10:02

Autori japonez Haruki Murakami ka kërkuar tërheqjen e nominimit të tij për çmimin alternativ “Nobel në Letërsi”, duke thënë se dëshiron të përqendrohet në shkrimet e tij, raportojnë mediet e huaja evropiane dhe aziatike.Si një nga "eksportet" më të suksesshme letrare të Japonisë, perspektivat e Murakamit për “Nobel” janë subjekt i një shqyrtimi intensiv vjetor në vendlindjen e tij, shkruan sor gazeta "Zëri".

Murakami u shpreh mirënjohës për nominimin, por tha se donte “të përqendrohej në të shkruarit, larg vëmendjes së medies", thanë organizatorët e çmimit të ri të Akademisë përderisa njoftuan tërheqjen e autorit në faqen e rrjetit social "Facebook". Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për vendimin e Murakamit.

Çmimi zëvendësues ose alternativ u krijua nga një grup i figurave kulturore suedeze pasi çmimi “Nobel për Letërsi” i këtij viti u shty pas skandalit të sjelljeve të pahijshme seksuale në “Akademinë Suedeze”.

Të nominuarit e tjerë për çmimin alternativ janë autori i lindur në Britani, Neil Gaiman, Maryse Conde, e lindur në Guadeloupe dhe autori kanadez Kim Tuy, i lindur në Vietnam. Ata kanë "shprehur entuziazëm për emërimin e tyre", shtoi deklarata e organizatorëve.

Anëtarët e "Akademisë së Re" ftuan lexues nga mbarë bota të votojnë për autorin e tyre të preferuar, duke u  bazuar në një listë të gjatë prej 46 shkrimtarësh të zgjedhur nga bibliotekarët në Suedi. U raportua se më shumë se 30.000 vetë votuan.

Fituesi pritet të shpallet më 12 tetor dhe çmimi do të jepet në Stokholm në mes të dhjetorit, ashtu si çmimi "Nobel". Në kontrast me çmimin “Nobel”, i cili kërkon të nderojë shkrimtarin i cili ka kontribuuar me punën më të shquar në një drejtim ideal, shpërblimi i ri do t'i ofrohet një shkrimtari që ka treguar historinë e njerëzve në botë.

Rikujtojmë se nobelisti i fundit i letërsisë është shkrimtari britanik me origjinë nga Japonia Kazuo Ishiguro. Ai u vlerësua nga Akademia Suedeze si një shkrimtar, i cili përmes romaneve që bartin forcë të madhe emocionale ia ka dalë të zbulojë humnerën që ekziston nën ndjesinë tonë iluzive në lidhje me botën. Zëri