“Kurrë s’kanë me u rrit” dhe “Miti për jetën”, ekspozitat e kësaj jave

Kultura September 12, 2018 - 09:10

Dy ekspozita që përfshijnë tre artistë të ndryshëm do të hapen gjatë kësaj jave në kryeqytet. Dy galeritë shtetërore të Kosovës, Galeria Kombëtare, si dhe ajo e Ministrisë së Kulturës “Qafa”, prezantojnë këto ditë për artdashësit dy ekspozita të ndryshme.

Të mërkurën në mbrëmje në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës hapet ekspozita me titull “Kurrë s’kanë me u rritë”. Kjo ekspozitë e kuruar nga Burim Berisha bën bashkë dy artistë. Bëhet fjalë për Mina Krasniqin dhe Leonid Palushajn, të cilët kanë bërë bashkë frymëzimet e tyre artistike. Menaxhmenti i Galerisë Kombëtare të Kosovës ka bërë me dije se kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 1 tetor.

Në anën tjetër, adhuruesit e artit pamor kanë rastin të përcjellin hapjen e një ekspozite në kryeqytet edhe të enjten. Galeria e Ministrisë së Kulturës “Qafa”, më datën 13 shtator me fillim në orën 19:00, hap ekspozitën e artistit dhe profesorit Avni Behluli. I lindur në Breznicë të Bujanocit, Avni Behluli ka përfunduar studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve në Prishtinë në vitin 1986, në klasën e prof. Agim Çavdarbasha.

Kuratori i kësaj ekspozite, Bislim Aliu, ndër të tjera i përshkruan veprat e artistit Behluli si të veçanta. “Çdo vepër e tij ka veçanti. Ka poetikë. Ka ndjesi, ka porosi, por ka edhe filozofi. Ai është një krijues i veçantë, por edhe i gjithanshëm: vizatues, skulptor dhe  merret me grafikë. Në këtë ekspozitë personale, e 23-ta me radhë, autori paraqitet me vizatime dhe me grafika me të vetmin cikël ‘Simfonia e artit’”, thekson ai.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Rikujtojmë se një ekspozitë që tërhoqi shumë vizitorë në Galerinë Kombëtare të Kosovës kohët e fundit është “Love you without knowing” e artistit kosovar të mirënjohur edhe ndërkombëtarisht, Sislej Xhafa. Përveç interesimit nga artdashësit, kjo ekspozitë nxiti edhe reagimet e dashamirëve të kafshëve, pasi që 8 lopë u bënë pjesë e një instilacioni të Xhafës, i vendosur në këtë galeri për disa javë rresht./Zëri