Kërkohet bojkotimi i “Eurovision”-it në Izrael

Kultura September 11, 2018 - 09:23

Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka publikuar një letër, ku bëhet thirrje të bojkotohet gara e këngës “Eurovision”, që në vitin 2019 do të mbahet në Izrael transmeton sot gazeta "Zëri".

Artistë nga Evropa dhe më gjerë mbështesin apelin e artistëve palestinezë për të bojkotuar garën vitin e ardhshëm. Kjo letër është nënshkruar nga një numër i madh i personaliteteve nga bota e artit, si këngëtarë, muzikantë, kompozitorë, valltarë, aktorë, regjisorë, shkrimtarë e tekstshkrues. “Ne, artistët e nënshkruar nga Evropa dhe më gjerë, mbështesin thirrjen e përzemërt të artistëve palestinezë për të bojkotuar garën e këngës ‘Eurovision’ të vitit 2019, të organizuar nga Izraeli. Përderisa palestinezët nuk mund të gëzojnë lirinë, drejtësinë dhe të drejtat e barabarta nuk duhet të ketë asnjë veprimtari të zakonshme me shtetin që ua mohon atyre të drejtat themelore”, thuhet në këtë letër.

Më 14 maj, disa ditë pasi Izraeli fitoi festivalin “Eurovision”, ushtria izraelite vrau 62 protestues palestinezë të paarmatosur në Gaza, duke përfshirë gjashtë fëmijë dhe plagosi qindra të tjerë, shumica me municione të drejtpërdrejta.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si “Amnesty International”, kanë dënuar këtë politikë të Izraelit dhe “Human Rights Watch” përshkroi vrasjet si “të paligjshme dhe të bëra me qëllim”. “‘Eurovision’ 2019 duhet bojkotuar nëse Izraeli është nikoqir dhe përderisa vazhdon shkeljen e rëndë të shumë dekadave të të drejtave të njeriut në Palestinë”, thuhet ndër të tjera në këtë letër./Zëri/