Institucionet e kulturës në grevë, pezullohen programet

Kultura September 06, 2018 - 08:08
Image

Për herë të dytë një shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës është anuluar si shkak i grevës së aktorëve. Përderisa në tetor të vitit të kaluar në skenë nuk është vënë siç ishte planifikuar shfaqja “Bordel Ballkan”, as këtë të mërkurë nuk u dha premiera e parë e planifikuar për programin e vjeshtës. Ndonëse kanë përfunduar përgatitjet për shfaqjen “Kopshti i vishnjave” të Ilir Bokshit, greva e nisur nga artistët ka bërë që dyert e teatrit të mbyllen për publikun. E përveç aktorëve të Teatrit Kombëtar, kësaj radhe rritje rrogash kërkojnë edhe artistët e institucioneve të tjera të kulturës. Këshilli organizativ sindikal i tri institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, Filarmonia e Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Kosovës, ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për medie gjatë ditës së mërkurë shkruan sot gazeta "Zëri". 

Në këtë konferencë, ku u paraqitën Besnik Grajçevci, përfaqësues i komitetit artistik të ansamblit “Shota”, Shkëlzen Veseli, përfaqësues sindikal i TTK-së dhe Alban Feka, përfaqësues sindikal nga Filarmonía e Kosovës, bënë të ditur se që nga ai moment ata po hyjnë në grevë duke pezulluar kështu mbajtjen e aktivitetet të planifikuar në kalendarët përkatës deri në ngritjen e premtuar të pagave bazë. “Për sot kemi paralajmëruar këtë konferencë për shtyp t’ju njoftuar se cilët do të jenë hapat tanë sindikalë me të cilët do të veprojmë më tutje karshi kërkesave tona”, u shpreh Grajçevci.

Ndërsa aktori Veseli në emër të këtij këshilli sindikal me një deklaratë zyrtare iu drejtua ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashit duke përmendur arsyet e kësaj greve dhe duke folur më gjerësisht për hapat konkretë që do të ndërmerren.

Veseli u shpreh se greva vjen si rezultat i gjendjes së rëndë dhe neglizhencës së performuesve të artit tash e 19 vjet nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për mungesën e mbrojtjes institucionale dhe ligjore, me theks të veçantë për kategorinë e performuesve të artit dhe punëtorëve tekniko-artistikë. Ai po ashtu përshkroi procesin e gjatë, i cili ende nuk është përmbyllur, prej kërkesës për këtë ngritje të pagave, deri te miratimi i rregullores e deri te punimi i konceptdokumentit.

“Pas kërkesave të vazhdueshme të sindikatave përkatëse të institucioneve të kulturës lidhur me ngritjen e pagës bazë për performuesit e artit dhe punëtorët profesionalë të trashëgimisë kulturore, përkatësisht pas inicimit të procedurave për përmirësimin e rregullores 05/2011, pas paralajmërimit të datës 5 shtator 2017 për ndërmarrjen e masave sindikale në rast të mosplotësimit të kërkesave tona, pas marrëveshjes së arritur të datës  2 tetor 2017 mes përfaqësuesve sindikalë dhe ministrit Gashi, ku u paralajmëruara se nga janari performuesit e artit do t’i marrin pagat me ngritje. Pas kontributit tonë duke qenë pjesë e grupit punues të konceptdokumentit të miratuar në Qeveri të janarit të vitit 2018, pas përfundimit të punës së rregullores 05/2018 nga ana e grupit punës, pjesë e së cilës ishim edhe ne përfaqësuesit sindikalë, pas takimit të përbashkët me sindikatat dhe institucionet e MRKS-së të muajit qershor 2018 u dhanë zotime publike se rregullorja do të dërgohej gjatë muajit qershor për miratim në Qeveri”, thuhej në këtë deklaratë të përbashkët, të cilën e lexoi Veseli.

Veseli u shpreh me ironi se nëse vazhdohet me ritmin e njëjtë do ta gjejnë veten në vitin 2028 në të njëjtën gjendje. “Pas zotimeve të njëpasnjëshme se pagat me rritje do të dalin në janar, pastaj pagat me ngritje do të dalin në mars dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në qershor dhe pastaj në shtator dhe pastaj.. dhe pastaj, dhe pastaj ..ja ku jemi në vitin 2028”, ironizoi Veseli. Ai gjithashtu u shpreh i bindur se kjo kërkesë është plotësisht ligjore dhe e realizueshme.

I pyetur se a kanë pasur presion gjatë takimit paraprak me drejtuesit e Ministrisë për të shtyrë grevën, ai tregoi se takimi ka pasur natyrë miqësore dhe që vazhdojnë të besojnë në vullnetin e ministrit Gashi pavarësisht zgjatjes së këtij procesi. Për fund ai tha se institucionet të cilat ata përfaqësojnë do të vazhdojnë presionin. Përkatësisht aktorët, instrumentistët, koristët e valltarët./ZËRI/