'Mbretëresha e Pop-it' mbush gjashtë dekada jetë

Kultura August 17, 2018 - 10:35

Gjatë gjithë jetës së saj artistja, e cila njihet në mbarë globin, Madonna, nuk ka reshtur së befasuari publikun. Përveç si muzikante, Madonna ka qëndruar para publikut edhe si aktore, regjisore, filantrope e shkrimtare. Në ditëlindjen e saj të 60-të, më 16 gusht, vëmendja e medieve botërore ishte kah karriera e saj e bujshme. Në retrospektivë përmes videove, fotografive e shkrimeve u kujtuan momentet kulmore të artistes që bota e njeh si “Mbretëreshë të Pop-it”, përderisa emri i saj i vërtetë është Madonna Louise Ciccone, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Madonna ishte novatore, por ajo gjithashtu tregoi se e kuptoi famën brenda dhe jashtë duke shkrirë me mjeshtëri imazhin e saj me atë të ikonave të tjera femërore, duke përfshirë këtu Marilyn Monroen, Eva Peron dhe Marlene Dietrich. Sigurisht se ajo bëri gabime, lojëra të shumta, por ajo gjithmonë shpengoi veten”, shkruan prestigjiozja “The Sun”.

Përveç muzikës, përgjatë karrierës së saj Madonna është komentuar edhe për martesat, për adoptimet, por edhe për disa dështime. Në fillimet e saj ajo e habiti botën me veshjet e veçanta, me lëvizjet skenike, por edhe me tekstet kontroverse. Madonna u tregua e patrembur dhe luftarake në këtë industri, e cila dominohej nga meshkujt. Me veprimet dhe me sukseset e saj ajo u hapi rrugën shumë artisteve femra që erdhën pastaj.

Gjatë karrierës së vet Madonna ka pasur dhjetëra turne, ka shitur 300 milionë albume dhe është bërë artistja më e kërkuar e të gjitha kohërave, duke u zhvendosur fillimisht në Nju-Jork në vitin 1977 me shpresën se do të bëhet modele.

Madonna ka gjashtë fëmijë. Katër nga ta janë të adoptuar. David Banda në vitin 2006 dhe Mercy James në 2009, si dhe binjakët Esther dhe Stella Mwale në vitin 2017. Ajo gjithashtu ka vajzën e saj të madhe biologjike, Lourdes Maria Ciccone Leon, të cilën e kishte me Carlos Leon, si dhe një djalë Rocco Ritchie, të cilin e kishte me ish-bashkëshortin Guy Ritchie. Vajza e parë e Madonnës, Lourdes, lindi në vitin 1996. Artistja u kthye në muzikë në vitin 1998 me albumin e saj “Ray Of Light”, duke prekur tema si fama e prindërimi.

Në vitin 2008 Madonna festoi ditëlindjen e 50-të duke publikuar albumin “Hard Candy” dhe duke mbajtur turneun “Sticky And Sweet” përderisa ditëlindjen e 60-të ajo e festoi në Marrakesh. Në vitin 2016 artistja mbajti turneun “Rebel Heart”, kurse në 2017-n revista “Forbes” raportoi se pasuria e Madonnes sillet rreth 454 milionë dollarë.

Madonna ka punuar pa u lodhur me organizatat e bamirësisë që ndihmojnë të prekurit me sëmundjen e AIDS-it dhe ka folur ashpër ndaj diskriminimit të homoseksualëve, duke u bërë thirrje adhuruesve të saj të mbështesin martesën e të njëjtit seks në Nju-Jork para se të miratohej ligji, i cili e lejon këtë në vitin 2011. Ajo gjithashtu themeloi fondacionin e saj të bamirësisë “Raising Malawi” për t’i ndihmuar jetimët në varfëri ekstreme dhe në vështirësi në vendet afrikane.

Për ta nderuar këngëtaren në ditëlindjen e saj të 60-të kanali “YouTube” ka përpiluar një listë me këngët më të dëgjuara të Madonnës.

Videoja më e shikuar e të gjitha kohërave në kanalin e saj është "Vogue", e cila ka rreth 84 milionë shikime. Çuditërisht videoja e dytë më e shikuar është ajo e këngës "Give Me All Your Luvin", e cila ka grumbulluar gati 71 milionë shikime qëkur u publikua në vitin 2012. Lista vazhdon pastaj me "Papa Don’t Preach" në vendin e tretë e tutje me

"Like A Virgin", "Live To Tell", "Celebration", "La Isla Bonita", "Girl Gone Wild", "4 Minutes" dhe "Open Your Heart". Megjithatë, në vitin e kaluar videot më të shikuara nga Madonna në nivel global janë "La Isla Bonita", "Hung Up", "Like a Prayer", "Papa Don't Preach" dhe "B---- I'm Madonna".

Globalisht, Madonna vazhdon të ketë mesatarisht mbi 1.6 milion shikime në ditë në kanalin e saj zyrtar “YouTube”, i cili ka më shumë se 2 milionë abonentë. Muajin e kaluar ajo kishte 5 milionë vizita ditore. Zëëri