“Sunny Hill”, festivali që i ka munguar Prishtinës

Kultura August 16, 2018 - 09:23

Me rreth 13.000 bileta të shitura, me një program shumë të pasur artistik dhe me aktivitetet maratonike për tri ditë me radhë (10,11 dhe 12 gusht) “Sunny Hill Festival” gjallëroi jetën kulturore të Prishtinës këtë verë shkruan sot gazeta "Zëri'.

Në këtë edicion të parë treditor (duke përjashtuar koncertin e Dua Lipës në 2016-n) “Sunny Hill” plotësoi nevojën e kryeqytetit për të pasur një festival i cili e karakterizon, siç tashmë i kanë disa qytete të Kosovës. Java e “Sunny Hill”-it mbushi bizneset e hotelerisë në Prishtinë me vizitorë nga qytetet e tjera të Kosovës, por edhe nga rajoni e më tutje. Duke u shtrirë në komplet parkun nacional të Prishtinës, që është Gërmia, ky festival solli në Kosovë emra të mëdhenj të skenës botërore, duke mos u kufizuar vetëm tek ata me prejardhje shqiptare. Me qëllimin që qytetin e saj Prishtinën ta vendosë në hartën kulturore të botës këngëtarja Dua Lipa solli disa nga artistët më të kërkuar të momentit, të cilët publiku kosovar s’ka pasur rast t’i shohë më herët.

Në anën tjetër, falë festivalit të Duas publiku i Kosovës pati kontaktin e parë edhe me shqiptarët e tjerë karriera e të cilëve po lulëzon nëpër botë. Action Bronson, Stanaj e Gashi u mirëpritën nga publiku shqipfolës dhe të tre u shprehen se performancat në Kosovë janë të paharrueshme. Përveç muzikës, me Street Ball, kamping e “Chill Zone” festivali “Sunny Hill” solli në Prishtinë atmosferën që mbizotëron në të gjitha festivalet me nam të Evropës.

Misioni i këtij festivali shkon përtej argëtimit, sepse dihet tashmë që Dua është zotuar se 30% e të hyrave të siguruara nga shtija e biletave do të përdorën për bamirësi nga fondacioni i saj “Sunny Hill Foundation”.

Rikujtojmë se çmimet e biletave shkuan nga 35 euro në fillim, 55 euro në prag të festivalit, si dhe 200 euro ato VIP. Duke i krahasuar me çmimet e festivaleve ku Dua Lipa, por edhe artistët e tjerë që erdhën në këtë festival prezantohen, çmimi i biletave treditore ishte i ultë. E themi këtë duke u bazuar në faktet se p.sh. në Antalya të Turqisë, ku Dua interpretoi menjëherë pas Prishtinës, më datë 14.08.2018, bileta kushtoi 800 lira turke ose rreth 144 euro. Pothuajse njësoj, rreth 150 euro, kushton bileta edhe për njërin nga koncertet që Lipa do ta mbajë në Britani të Madhe gjatë shtatorit. Çmim ky që është rreth dyfishi i shumës për të cilën u shitën shumica e biletave në Prishtinë. Pritet që organizatorët të dalin me një njoftim zyrtar se sa është shifra e parave që do të përdoren për bamirësi, derisa nga koncerti i parë ishin mbledhur 100.000 euro, me të cilat u ndihmuan disa shkolla të muzikës, organizata dhe festivale.

Duke qenë se ishte hera e parë që një festival i përmasave të tilla u organizua në Prishtinë, ky ishte edhe një lloj testi për Komunën e Prishtinës, e cila e përkrahu këtë festival.

Policia e Kosovës me 500 policë në bashkëpunim e me 200 anëtarë të sigurimit privat u përkujdes që “Sunny Hill Festival” të përfundojë pa incidente të mëdha./ZËRI/

Image

Image
Image
Image
Image
Image