Aktori Bajgora po ecën drejt skenave botërore

Kultura August 16, 2018 - 09:08

Përderisa në festivalin “DokuFest”, që përfundoi para pak ditësh, aktori Florist Bajgora u prezantua në dy filma, në anën tjetër ai sapo ka përfunduar xhirimet në filmin turk “Shpata e Drurit” të regjisorit Emre Konuk, ku paraqitet në rolin kryesor. Për Bajgorën 2018-a duket të ketë qenë vit i mirë që nga fillimi. Filmi “Kiem Holijanda”, ku ai luan, u shpërblye në shkurt në festivalin prestigjioz “Berlinale” me çmimin “Ariu i kristaltë”. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Florist Bajgora, që është njëri nga përfaqësuesit e brezit të aktorëve të rinj e të suksesshëm të Kosovës, shpalos më shumë detaje për projektet e tij.

Zëri: Sapo keni përfunduar xhirimet e filmit “Shpata e Drurit” të regjisorit turk Emre Konuk, ku ju paraqiteni në rolin kryesor. Si shkoi i gjithë procesi dhe sa po ndaheni i kënaqur për këtë bashkëpunim?

Kam filluar me shumë kënaqësi këtë projekt. E kam marrë me shumë përgjegjësi e me përkushtim të punoj, të përjetoj dhe të mëshiroj karakterin e Hajdarit. Procesi ka shkuar me shumë lehtësi e dashuri. Si rezultat, jam i kënaqur me përfundimin e projektit, ashtu edhe më mirë se kur e kam filluar.

Zëri: A mund të na zbuloni diçka më tepër për rolin tuaj në këtë film, por edhe për filmin në përgjithësi?

Filmi është xhiruar i tëri në Kosovë dhe shtjellon temë kosovare. Është më e udhës t’i mbetet publikut kur e sheh filmin dhe të mjaftohet me informatat mbi të cilat kemi punuar për më shumë se një muaj, krejt çka mund të them për karakterin është që Hajdari është pasqyra e realitetit të shumë të rinjve në Kosovë, të cilët për shkak të pasojave të luftës vazhdojnë luftën me pikëpyetjet e tyre nëpër mendje e qenie e që rrallë munden t’i lënë të ecin para pa i zgjedhur këto pikëpyetje.

Zëri: Në anën tjetër, sapo jeni kthyer nga festivali “DokuFest”, ku u ekranizuan dy filma, në të cilët paraqiteni me rolet tuaja. Përkatësisht në filmat “Curveless Line”, si dhe “Kiem Holijanda”. Si kaluat atje dhe sa është e rëndësishme për ju si aktor paraqitja e dyfishtë në këtë festival?

Vetëm të marrësh pjesë si shikues në një festival filmi është një përvojë, sepse sheh e njoftohesh me vepra artistike e artistë të ndryshëm, me të cilët ndan e merr përvoja e ndoshta edhe bashkëpunime në të ardhmen. Por të prezantohesh me dy filma është muhabet krejt tjetër. Së pari, më shumë njerëz kanë mundësi ta shohin punën që e bëj me shumë qejf e dashuri dhe e dyta, mundësitë për bashkëpunime të tjera janë dhe bëhen shumë më të lehta, sepse është shumë ndryshe kur prezantohesh verbalisht dhe ndryshe me punë.

Zëri: E veçantë e filmit “Kiem Holijanda” është se aty paraqiteni në rolet kryesore bashkë me vëllain tuaj të vogël, aktorin Andi Bajgora. Sa ishte i vështirë një bashkëpunim i tillë?

Nuk është lehtë dhe në të njëjtën kohë është aq lehtë, sepse lidhja jonë reale ndonjëherë e sidomos në rolet ku luajmë vëllezër na ndihmon për të mos e humbur raportin e përditshëm real që e kemi dhe mund të sillemi e të reagojmë njëjtë si në jetë. Në të njëjtën kohë kjo edhe e bën shumë më të lehtë ta gjejmë pa komunikuar e tjerrë gjatë raportit të nevojshëm në skenë.

Zëri: Me filmin “Kiem Holijanda” ishit edhe në “Berlinale”, prej ku u kthyet me çmimin “Ariu i kristaltë”. Çfarë eksperience ishte kjo për ju?

Është “Highlight” i vitit. Për neve ka qenë kënaqësi e papërshkrueshme veç me qenë atje për shkak të nivelit artistik të punëve të artistëve të tjerë. Të fitosh ka qenë kulmi!

Zëri: Përveç filmave, juve ju kemi parë edhe në skenën e teatrit. Ku e ndieni veten më rehat apo cilën preferoni para tjetrës?

Kjo pyetje gjithë ma kujton përgjigjen e nënës sime kur dikush e pyet cilin fëmijë e do më shumë. Përgjigjja e saj është: “E qysh ndahet evladi prej evladit tjetër?”. Të dyja e kanë të veçantën dhe ndjenjën e magjinë e vet. Jetoj për këto dy ndjenja.

Faleminderit Fjolla, faleminderit “Zëri”!/ZËRI/