Filmi “Martesa”, sot në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Kultura August 14, 2018 - 09:25

Festivali i Filmit në Sarajevë, i cili ka filluar para disa ditësh dhe do të vazhdojnë deri më datën 17 gusht, mirëpret sivjet edhe një film nga Kosova. Sot me fillim nga ora 16:00 në ekranet e “Sarajevo Film Festival” të pranishmit do ta kenë mundësinë të shohin filmin “Martesa” të regjisores Blerta Zeqiri shkruan gazeta "Zëri". 

Festivali i Sarajevës është festivali më i madh i filmit në Ballkan dhe njëri ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Ky festival çdo vit hap dyert për shumë filmbërës kombëtarë e ndërkombëtarë nga Evropa e më gjerë.

“Martesa”, film i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, u komentua shumë dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm që nga premiera vitin që shkoi.

Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu sjellin në jetë personazhet e Anitës, të Bekimit dhe të Nolit përkatësisht. Ngjarja zhvillohet në Kosovën e pasluftës me personazhet e Anitës e të Bekimit në prag të martesës dhe kthimin e Nolit nga Franca, duke krijuar kështu një trekëndësh dashurie në mes tyre. Ky film prek tema nga më të ndryshmet, si çështjen e të pagjeturve e deri te pozita e komunitetit LGBTI në Kosovë.

Filmi “Martesa” është shfaqur dhe ka marrë pjesë në një mori festivale filmash ndërkombëtarë, shumica prej tyre të kategorisë “A”.

Si premierë ky film u shfaq në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni në nëntor të vitit të kaluar, prej nga u kthye me dy çmime. Pas kësaj ka vazhduar të shfaqet edhe në festivale të filmit në Holandë, në Republikën Çeke e deri në Australi.

Alban Ukaj, aktori i njohur ndërkombëtarisht dhe që luan personazhin e Bekimit në filmin “Martesa”, ishte nikoqir i ceremonisë së hapjes së edicionit të 24-të të po këtij festivali në Sarajevë./ZËRI/