Alban Ukaj, nikoqir i Festivalit të Filmit në Sarajevë

Kultura August 09, 2018 - 08:04

Aktori i mirënjohur kosovar Alban Ukaj do të jetë nikoqir i ceremonisë së hapjes së edicionit të 24-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë shkruan sot gazeta "Zëri".

Hapja e këtij festivali të rëndësishëm për kinematografinë do të bëhet në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, më 10 gusht. Si zakonisht aty pritet të jetë një numër i madh i mysafirëve nga bota e filmit dhe jo vetëm.

Festivali i Filmit në Sarajevë është një festival, i cili zbulon gjeneratat e reja që do të udhëheqin kinemanë rajonale në të ardhmen. Ky festival ka vendosur që në ceremoninë hapëse të këtij edicioni rolin e nikoqirit t’ia besojë aktorit kosovar Alban Ukajt, i cili ka shumë vite që është paraqitur në shumë role si në teatër, ashtu edhe në filma.

Alban Ukaj është aktor i njohur, jo vetëm në Sarajevë, por me rolet e tij njihet edhe ndërkombëtarisht. Ai kishte filluar të studiojë në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në gjeneratën e parë të pasluftës, në klasën e aktorit të njohur Faruk Begollit, tashmë i ndjerë. Dy vjet të studimeve i përfundoi në Prishtinë dhe pastaj vazhdoi në Sarajevë. Alban Ukaj ka 18 vjet që jeton në qytetin e Sarajevës.

Së fundmi publiku i Kosovës ka pasur rast ta shohë aktorin Ukaj me një rol në filmin e një prej regjisoreve më të mira shqiptare. Bëhet fjalë për filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit ku Alban Ukaj bashkë me Adriana Matoshin dhe me Genc Salihun aktrojnë në rolet kryesore. Filmi flet për një trekëndësh dashurie dhe trajton një temë që prek komunitetin LGBT. Në këtë filmin Albani luan rolin e Bekimit, i cili është në prag të martesës me të fejuarën e tij Anitën, por është ende i dashuruar në ish të dashurin e tij Nolin. Filmi “Martesa”, i regjisores Blerta Zeqiri, pati premierën botërore në një festival të kategorisë “A” në Tallinn të Estonisë, më datën 28 nëntor të vitit 2017 dhe nga atje u kthye me dy çmime.

Rikujtojmë se Festivali i Filmit në Sarajevë, në të cilin Ukaj do të jetë nikoqir, është festivali më i madh i filmit në Ballkan dhe ndër më të mëdhenjtë në Evropë. I themeluar në vitin 1995 gjatë rrethimit të Sarajevës në luftën e pavarësisë së Bosnjës, sivjet zhvillon edicionin e 24-të dhe sikurse për çdo vit sjell emra lokalë dhe ndërkombëtarë të filmit.