QKK-së i rritet buxheti për 100 për qind

Kultura August 08, 2018 - 09:14

Ministri i Ministrisë së Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, ka vizituar të martën Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK). Gjatë vizitës Gashi ka zhvilluar takim me drejtorin e kësaj Qendre Arben Zharkun dhe me anëtarë të tjerë shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndër të tjera ministri Gashi njoftoi se Ministria, të cilën ai udhëheq, ka marrë vendim që Qendrës Kinematografike të Kosovës t’ia rrisë buxhetin 100 për qind, nga 600 mijë euro që ka qenë deri më tani në 1 milion e 200 mijë euro. “Siç dihet kjo Qendër ka pasur buxhet 600 mijë euro për mbështetjen e filmave dhe ne kemi vendosur që këtë buxhet ta rrisim për 100% dhe QKK-ja do ta ketë buxhetin për filma 1 milion e 200 mijë”, tregoi Gashi.

Ministri u shpreh se ky vendim vjen si rezultat i punës dhe i angazhimit të madh kësaj Qendre, si dhe suksesit e çmimeve që kanë marrë filmat kosovarë në veçanti ata si “Shok”, “Babai”, “Martesa”, por edhe të tjerë.  

I pyetur për burimin e mjeteve për QKK-në, Gashi tha se ka hapësirë brenda Ministrisë së Kulturës që disa institucioneve të kulturës të cilat kanë arritur sukses t’u rritet buxheti. Me buxhetin e deritanishëm ka qenë e mundur financimi i vetëm 18 filmave, por me rritjen e këtyre fondeve numri do të shkojë në 28. Ministri u shpreh optimist që industria e filmit do të zhvillohet edhe më tepër.

Në anën tjetër, Arben Zharku, drejtor i QKK-së, u shpreh shumë mirënjohës për vizitën e ministrit dhe mbështetjen e MKRS-së, duke shpresuar se sukseset në arenën ndërkombëtare do të vazhdojnë të përsëriten./ZËRI/